Pamje të reja satelitore të publikuara nga rajoni Darfur në Sudan kanë zbuluar përmasat e tmerrshme të masakrave dhe gjenocidit që po kryen forca paramilitare RSF (Rapid Support Forces). Sipas raportimeve, këto trupa veprojnë me mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa pamjet e reja kanë tronditur opinionin publik ndërkombëtar.
Gjurmët e masakrës të dukshme nga sateliti
Sipas Laboratorit për Kërkime Humanitare të Universitetit Yale (HRL Yale), imazhet tregojnë qindra trupa të shpërndarë në disa zona të Darfurit. Analiza tregon “klasterë” me ndryshime ngjyrash në tokë – tregues të pranisë së trupave të pajetë.
Hulumtuesi amerikan Nathaniel Raymond tha se ekipi i tij ka vërejtur një “shpërthim objektesh të gjatësisë 1.3 deri në 2 metra”, të cilat janë identifikuar si trupa njerëzish, bazuar në krahasimet me pamjet filmike nga terreni që dokumentojnë ekzekutime sistematike të civilëve.
“Në Daraja Ouli, aty ku ishin strehuar civilët, vërejmë qëndrime taktike të automjeteve që tregojnë për vrasje derë më derë. Dëshmitë e grave që kanë shpëtuar nga zona përputhen me këtë – ato tregojnë se RSF ndante burrat nga gratë dhe fëmijët, dhe menjëherë më pas dëgjoheshin të shtënat,” deklaroi Raymond.
Trupa në periferi të El-Fasherit
Në periferi të qytetit El Fasher, HRL Yale ka identifikuar grupe të shumta trupash të shfaqura midis datave 26 dhe 27 tetor, në përputhje me raportet për vrasjen e civilëve që përpiqeshin të arratiseshin.
Në pjesën perëndimore të qytetit, përgjatë digës mbrojtëse, u panë të paktën gjashtë grupe trupash pranë automjeteve të armatosura që më pas janë zhdukur nga pamjet e 28 tetorit – çka sugjeron se njësitë e RSF-së janë larguar duke lënë pas qindra viktima.
“Pamjet tregojnë se forcat e ushtrisë sudaneze janë tërhequr pothuajse në të njëjtën kohë, gjë që përkon me raportet për një marrëveshje të fshehtë me RSF, duke lënë civilët e El-Fasherit të ekspozuar ndaj vdekjes,” thuhet në raport.
“Tani do të vrasin gratë dhe fëmijët”
Sipas hetuesve, faza e ardhshme e masakrës do të jetë edhe më e rëndë.
“Situata do të përshpejtohet. Ata që do të vriten tani janë ata që fshihen — gratë, fëmijët dhe burrat që përpiqen t’i mbrojnë. Janë njerëz shumë të dobët për të ikur,” paralajmëroi Raymond.
Pamjet e reja satelitore konfirmojnë përshkallëzimin dramatik të dhunës në Darfur dhe, sipas ekspertëve ndërkombëtarë, përbëjnë dëshmi vizuale të reja për krime kundër njerëzimit që kërkojnë reagim urgjent ndërkombëtar.













