​Komiteti nuk vendos për shkollat, nga Qeveria kërkohet rritje të kapaciteteve spitalore

Komiteti anti-COVID nuk vendosi në takimin e sotëm në lidhje me masat e reja apo mbylljen e shkollave, ashtu siç kanë rekomanduar edhe institucionet shëndetësore. Krejt çfarë u tha në takim është se ka rritje të numrit të të infektuarve dhe se po ashtu spitalet kanë filluar të stërmbushen. Madje, udhëheqësi i ShSKUK-së kërkoi nga institucionet që të marrin masa, meqë sipas tij gjatë marsit mund të tejkalohen kapacitetet.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj në fund të takimit ka folur edhe për vaksinat, ku tha se sasia e tyre për Kosovën sipas programit të COVAX-it do të nisë prodhimin gjatë muajit mars.

Ai para anëtarëve të Komitetit anti-Covid theksoi se ditëve të fundit ka pasur rritje numrit të rasteve me Covid-19. Sipas tij, shqetësuese mbetet numri i rasteve spitalore.

Zemaj: 2000 mësimdhënës dhe afër 5000 nxënës të infektuar

“Tash në këtë fazën tjetër të vitit, kemi arritur që të bëjmë më shumë se 7000 testime. Prej tyre pjesa ndahet diku më shumë se 2000 mësimdhënës të cilët nga përqindja 31 për qind e tyre kanë rezultuar deri më tani pozitiv. Dhe më shumë se 4000 apo afër 5000 nxënës, ku me shkallë të pozitivitetit ka qenë 22 për qind, për periudhën e vitit 2021”, ka theksuar ai.

E, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani theksoi se në dy javët e fundit ka rritje të numrit të rasteve për 27,6. Tutje, ai ka bërë të ditur se në dy javët e fundit janë raportuar 110 raste të vdekjeve me COVID-19.

Ramadani: Kemi rritje të vdekshmërisë për 40 për qind

“Tregon një rritje prej 40 për qind. Në 24 orët e fundit në laboratorin e mikrobiologjisë molekulare dhe laboratorët private me metodën PCR si dhe laboratorët publike dhe private me metodën rapid janë testuar 5102 mostra të marra nga ShSKUK dhe nga gjurmimi i kontakteve, prej të cilave rezultojnë 828 raste pozitive. Nga data 8 shkurt kur kemi filluar të testojmë për herë të parë e deri më sot, në total kemi testuar 375 mijë e 967 persona të dyshuar me virusin Sars-cov2”, ka theksuar ai.

Më tej, Ramadani tha se grup-moshat më të prekura nga kjo sëmundje janë 30-30 vjeçare.

Ndërsa, drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi theksoi se numri i të shtrirëve në klinika të premten i është afruar numrit 800.

Krasniqi: I bëjmë thirrje komitetit të mendojë seriozisht alternativa për të rritur kapacitet

“Për më pak se 3 javë, brenda 18 ditëve të muajit mars, kemi një rritje të të hospitalizuarve për 66 për qind. Ndërsa, 1 mars kemi pasur 528 pacientë të shtrirë, sot kemi 270 pacientë më tepër të shtrirë në spitalet tona. Dhe kjo rritje për neve në një periudhë kaq të shkurtër kohore është jashtëzakonisht shqetësuese. Për faktin që nëse vazhdon ky trend i të hospitalizuarve kjo nënkupton që mbase brenda muajit mars do të tejkalohen kapacitetet e planifikuara. Ne si ShSKUK i bëjmë thirrje këtij komiteti dhe qeverisë të mendoj seriozisht edhe për alternativa tjera për të rritur kapacitet me shtretër”, ka shtuar ai.

Ai tha se Kosova gjendet para një situate që Shërbimi Spitalor shumë shpejt nuk do të mund të përballojë rritjen e numrit të rasteve.

Për këtë, ai tha se shifrat janë shqetësuese, për çka shtoi se 1/3 e të konfirmuarve me këtë virus janë mbi moshën 50 vjeçare të cilët mund të kërkojnë shërbime spitalore.

Edhe zëvendësministri Xhavit Rexhaj ka theksuar se ka rritje të shkallës së infeksionit, e që ka përfshirë edhe sektorin e arsimit.

Rexhaj: Nxënësit të shkojnë në një pushim një-javor

 

“Nxënësit të shkojnë në një pushim një-javor, që i bie 9 ditë dhe në fund të javës të bëhet një vlerësim i trendëve epidimiologjike. Dhe të vendoset nga autoritetet se si të shkohet më tutje. Ajo javë na jep një rast që të shohim edhe për çfarë modalitetesh dhe si i kemi resurset për modalitete të mëtejshme. Konsiderojmë se masat e tilla duhet të merren si pjesë e një pako të përgjithshme të reagimit në nivel nacional për ulje të rasteve sepse nuk mund të ketë reagim parcial ndaj situatës”, shtoi ai.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj është pyetur nga Nora Hasani të Odës Ekonomike Gjermane se kur do të fillojë vaksinimi i qytetarëve.

Zemaj tha se sigurimi i tyre është angazhim ditor.

Zemaj: COVAX ka konfirmuar që sasia për Kosovën do të jetë në prodhim gjatë marsit

 

“Angazhimi për marrjen e vaksinës është angazhim ditor dhe nacional. Është evidente që ka vështirësi në furnizimin me vaksina, ne përpos insistimit tonë për blerje direkte, mbi të gjitha premtimit që kemi pasur nga prodhuesit, akoma është duke vazhduar komunikimi me të gjithë. Sidomos me ata që kemi pasur deklarata që në shkurt. Pjesa që ndërlidhet me aleancën COVAX, konfirmimin e kemi marrë që sasia për Kosovën do të jetë në prodhim gjatë marsit. Jemi në pritje, është komunikim ditor edhe përmes UNICEF-it”, ka njoftuar ai.

Ndërkohë, nga Shoqata e Gastronomeve kanë pasur ankesa për numrin e madh të dënimeve, ku Petrit Kllokoqi theksoi se nuk po arrijnë të mbulojnë.

Në komitetin anti-COVID, Gazmend Hoxha nga Policia e Kosovës ka njoftuar se deri më tani kanë humbur jetën 16 pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe mbi 1600 të infektuar. /Sh.Pajaziti

Kategoritë
LajmeVendi