Zyra e BE-së në Kosovë është deklaruar rreth rastit të therjes me thikë të një zyrtari të saj në Gjakovë.

Zëdhënësi i kësaj zyre, Nikola Gaon ka thënë se janë tronditur nga ky lajm.

“Jemi të tronditur nga ky lajm dhe i urojmë stafit të përfshirë shërim të shpejtë dhe të plotë. Një hetim është duke u zhvilluar dhe autoritetet po përcaktojnë faktet. Meqenëse ky është një hetim aktiv, nuk jemi në gjendje të japim detaje të mëtejshme në këtë kohë”, ka thënë Gaon në një përgjigje për KlanKosovën.

Stefan Ilianov Sheynov, rreth 49-vjeçar, zyrtar i Zyrës së BE-së në Kosovë, është therë me thikë mbrëmjen e 4 nëntorit në Gjakovë.

Ai ka pranuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Gjakovës për tu transferuar më pas në QKUK për shkak të gjendjes së tij të rëndë shëndetësore.

Sheynov thuhet se ka plagë në qafë dhe gjoks, ndërsa Prokuroria në Gjakovë rastin e ka iniciuar si vrasje në tentativë.

Kategoritë
LajmeVendi