Turqia kontrollon qiellin ndërsa Athina shpall alarm: “Ata kanë mbi një milion dronë”

Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, në një intervistë televizive, deklaroi se shërbimet e inteligjencës së Greqisë kanë vlerësuar se Turqia tani zotëron më shumë se një milion fluturuese pa pilot (UAV) — një shifër që ai e përshkroi si “mbresëlënëse”.

Dendias iu referua një komenti të gazetarrit M. Psylos, që e përshkroi Turqinë si “fabrikë prodhimi dronësh”, duke shtuar se ajo aktualisht mban rreth 60 për qind të eksporteve botërore të sistemeve UAV. Ministri tha se rritja e kapaciteteve turke është lidhur me konfliktet e fundit, veçanërisht me përdorimin vendimtar të sistemit turk Bayraktar TB2 në luftën për Karabak.

Si përgjigje, Greqia ka zhvilluar sistemin anti-dron Kentavros, i cili sipas Dendiasit është “sistemi më i mirë në botë kundër Bayraktarëve”. Ai deklaroi se sistemi është konceptuar për nevojat e mbrojtjes kombëtare si dhe për eksport, me synim tregjet që konkurojnë eksportet turke të UAV-ve. Dendias shtoi se dy shtete kanë shfaqur tashmë interes për blerje.

Sipas tij, “Kentavros” mund të hapë dyert për Greqinë në sektorin global të luftës elektronike, duke ofruar mbrojtje anti-dron të adaptueshme për ambiente të ndryshme. Ministri shtoi se vendet që përballen me kërcënimin e dronëve turq mund të jenë klientë të mundshëm: “Një shtet që po lufton kundër dronëve turq, mund të blejë sistemin tonë më të mirë anti-Bayraktar.”

Dronët turq Bayraktar TB2 të prodhuar nga firma Baykar u bënë të famshëm në luftëra në Siri, Libi, Karabak dhe Ukrainë, duke formësuar perceptimin global të një force ajrore efektive dhe të përballueshme. Raportet tregojnë se këta dronë kanë shkaktuar “miliarda dollarë” dëme në sistemet ruse të mbrojtjes ajrore, duke konsoliduar reputacionin e Ankarasë si një shpërndarës kryesor i teknologjisë UAV.

Sipas mediave greke, Athina planifikon prodhimin e mbi 1.000 dronëve ushtarakë në vit në kuadër të një programi më të gjerë modernizimi. Prezentimi i sistemit “Kentavros” përkon me këtë strategji, dhe po ashtu përbën një përgjigje ndaj zhvillimit të shpejtë të industrisë turke të dronëve. Zyrtarët grekë e përshkruajnë projektin si kyç për “rikthimin e kapaciteteve të frikësimit” përgjatë kufirit Egje.

Kategoritë
BotaLajme