Zohran Mamdani pranon se nuk mund ta arrestojë Netanyahun: Nuk është i mirëpritur në New York, ai është arkitekti i gjenocidit

Kryetari i New Yorkut, Zohran Mamdani, ka publikuar një video në të cilën ka sqaruar se autoritetet lokale nuk kanë të drejtë ta arrestojnë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, por ka përsëritur se ai nuk është i mirëpritur në qytetin që drejton.

Në fillim të videos, Mamdani e quajti Netanyahun kriminel lufte.

“Ai është arkitekti i një gjenocidi të tmerrshëm kundër popullit palestinez. Ai është përgjegjës për vrasjen e më shumë se 73.000 njerëzve, për gjymtimin e dhjetëra mijëra fëmijëve, ndërsa ata që mbijetojnë u nënshtrohen amputimeve pa anestezi. Është përgjegjës për shënjestrimin e spitaleve neonatale dhe qendrave të lindjes, duke ua mohuar të porsalindurve edhe mundësinë për të mbijetuar, për njerëzit e panumërt që i ka gjymtuar ndërsa ka bllokuar ushqimin dhe ndihmën humanitare, si dhe për vrasjen e qindra punonjësve humanitarë dhe gazetarëve”, deklaroi Mamdani.

Ai më tej tha se amerikanët po paguajnë për bombat me të cilat, sipas tij, po kryhet ky gjenocid dhe se ekziston një arsye pse Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN) ka lëshuar urdhërarrest ndaj Netanyahut.

“Si qenie njerëzore, kemi kaluar breza duke ndërtuar një mirëkuptim të përbashkët se ekzistojnë krime aq të rënda sa fyejnë gjithë njerëzimin. Kushdo që ka sy, zemër dhe ndërgjegje duhet ta njohë shkatërrimin që ai ka shkaktuar dhe ta kuptojë se vendi i tij është para gjykatës”, tha ai.

Mamdani theksoi se kishte shqyrtuar të gjitha mundësitë ligjore që policia lokale e New Yorkut ta arrestonte Netanyahun, por se kjo nuk është e mundur.

“Siç kam thënë, pajtohem se Benjamin Netanyahu duhet të arrestohet dhe të gjykohet për krimet e tij, ashtu siç mendoj për çdo person tjetër ndaj të cilit ekziston urdhërarrest i GJPN-së. Administrata ime ka shqyrtuar të gjitha rrugët e mundshme sipas ligjit në fuqi për të përcaktuar nëse New Yorku mund ta zbatojë urdhërarrestin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare nëse Benjamin Netanyahu vjen këtu. Është e qartë se nuk kemi autoritet të pavarur ligjor për ta zbatuar këtë urdhër”, tha Mamdani.

Megjithatë, ai theksoi se kompetenca për një veprim të tillë i takon pushtetit shtetëror në Shtetet e Bashkuara.

“Dua të jem po aq i qartë: Benjamin Netanyahu nuk është i mirëpritur në New York, dhe asnjë kriminel tjetër lufte që ndodhet i lirë. Edhe pse nuk mund ta përfundojmë vetë gjenocidin, mund të vendosim nëse heshtja jonë do të bëhet një tjetër armë dhe mund të shqyrtojmë çdo mjet që kemi në dispozicion për të mbrojtur njerëzimin dhe dinjitetin e të gjithë njerëzve. Ky është detyrimi im ndaj jush”, deklaroi Zohran Mamdani.

Kategoritë
BotaLajme