Zgjedhjet lokale 2025: Si ndryshoi harta politike nga 2021 – Kush fitoi, kush humbi dhe cilat bastione u thyen

Dje u mbajt balotazhi në 17 komuna të Kosovës, për të zgjedhur kryetarët e secilës prej tyre, pasi nuk arritën të merrnin votat e mjaftueshme në rundin e parë të zgjedhjeve të mbajtura më 12 tetor, shkruan Gazeta Blic.

Rezultatet ishin deri diku të pritshme, por pati dhe befasi.

Bazuar në të dhënat preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të 9 nëntorit, LDK fitoi në pesë komuna, VV në katër, AAK në katër, PDK në tri, Lista Serbe në një dhe po ashtu Partia turke KDTP në një komunë.

LDK fitoi në Prishtinë, Pejë, Dragash, Viti dhe Junik.

LVV fitoi në Mitrovicë e Jugut, Fushë Kosovë, Gjilan dhe Obiliq.

AAK fitoi në Gjakovë, Suharekë, Klinë dhe Rahovec.

PDK fitoi në Prizren, Vushtrri dhe Kaçanik.

LISTA SERBE fitoi në Kllokot dhe Partia turke KDTP në Mamushë.

Por, këtu nuk përfshihen votat me postë dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

Ndërsa, duke llogaritur dhe komunat që kanë fituar partitë në rundin e parë të zgjedhjeve lokale, LDK e LVV do të qeverisin nga 7 komuna, PDK në 6, AAK në pesë, Nisma në një komunë, në Drenas iniciativa e Ramiz Lladrovcit, Lista Serbe në 10 komuna dhe Partia turke KDTP: Mamushë.

Por, të bëjmë një krahasim të zgjedhjeve të vitit 2021 dhe zgjedhjeve 2025, për të parë numrin dhe komunat që kanë qeverisur partitë dhe që kanë humbur apo fituar tani.

LDK ka humbur Obiliqin dhe Fushë Kosovën, komuna këto që kjo parti i ka qeverisur prej vitesh, Fushë Kosova bastion i LDK-së e Obiliqi i udhëhequr nga kjo parti prej 12 vitesh.

Këto komuna këtë herë u fituan nga Lëvizja Vetëvendosje.

VV nga 4 komuna tani ka fituar 7, ka fituar dhe Obiliqin, Fushë Kosovën, Mitrovicën e Jugut.

PDK nga 8 ka 6 komuna të fituara, ka humbur Drenasin dhe Mitrovicën e Jugut.

AAK ka fituar komunat që ka qeverisur, nuk ka humbur asnjë nag komunat që i ka qeverisur e as fituar ndonjë komunë të re.

Më poshtë renditja e partive dhe komunave që kanë fituar në nivelin lokal:

LDK: Prishtinë, Pejë, Dragash, Viti, Junik, Istog, Lipjan

LVV: Mitrovicë e Jugut, Fushë Kosovë, Gjilan, Obiliq, Kamenicë, Podujevë, Shtime

PDK: Skenderaj, Prizren, Vushtrri, Kaçanik, Ferizaj, Hani i Elezit,

AAK: Deçan, Gjakovë, Suharekë, Klinë, Rahovec

NISMA: Malishevë

Në Drenas ka fituar iniciativa e Ramiz Lladrovcit.

Partia turke KDTP: Mamushë

LISTA SERBE: Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh dhe Mitrovicë e Veriut, Kllokot.

Në rundin e dytë në rezultatet e KQZ-së, nuk janë të përfshira votat nga diaspora dhe ato me kusht./Gazeta Blic/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi