Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, sot së bashku me ish-kryeministrin dhe kriminelin e dënuar të luftës Nikola Shainoviç, ka zbuluar bystën e ish-gjeneralit të policisë Obrad Stevanoviç.
Gjatë ceremonisë, Dačić e përshkroi Stevanović-in si “një polic të ndershëm, të shkëlqyer dhe patriot të madh”, duke shtuar se luftërat në ish-Jugosllavi ishin “të imponuara”.
Në zbulimin e bystës mori pjesë edhe Nikola Šainović, ish-bashkëpunëtor i ngushtë i Slobodan Milošević-it dhe kriminel lufte i dënuar.
Šainović ishte dënuar në vitin 2009 nga Tribunali i Hagës (ICTY) me 22 vjet burg për krime lufte në Kosovë, dënim që në vitin 2014 iu ul në 18 vjet. Ai ishte dorëzuar vullnetarisht në Hagë më 2002 dhe në vitin 2015 u lirua me kusht. Pas lirimit, ai u kthye në Partinë Socialiste të Serbisë, e cila sot drejtohet nga Dačić.
Sa i përket Obrad Stevanović-it, bysta e të cilit u zbulua sot, ai ishte komandant i Njësive Speciale të Policisë pranë Sektorit për Siguri Publike të Serbisë. Këto njësi kanë qenë aktive gjatë luftërave në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë.
Ashtu si Šainović, edhe Stevanović kishte udhëtuar në Hagë, por si dëshmitar mbrojtës në gjyqin e Jovica Stanišić dhe Franko Simatović, të cilët në vitin 2023 u dënuan me nga 15 vjet burg për krime lufte në Bosnje dhe Kroaci.









