Zelenskyy sanksionon individët që dyshohet se janë përfshirë në hetimin e korrupsionit në energji në Ukrainë

Dekreti presidencial vendos sanksione kundër dy individëve që dyshohet se janë përfshirë në një hetim të vazhdueshëm për korrupsion në një vlerë prej 100 milionë dollarësh në sektorin e energjisë në vend

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka nënshkruar një dekret që vendos sanksione kundër dy individëve që dyshohet se janë përfshirë në një hetim të vazhdueshëm për korrupsion në një vlerë prej 100 milionë dollarësh në sektorin e energjisë në vend, transmeton Anadolu.

Në faqen zyrtare të presidencës së Ukrainës u publikua dekreti që vendos sanksione ndaj Timur Mindich, një biznesmen dhe bashkë-pronar i kompanisë së prodhimit ‘Kvartal 95, si dhe ndaj Oleksandr Tsukerman, të cilët dyshohet se janë përfshirë në një hetim për korrupsion në sektorin e energjisë, i nisur nga agjencitë e antikorrupsionit të Ukrainës në fillim të kësaj jave.

Zelenskyy është një nga tre individët që themeluan kompaninë e prodhimit me seli në kryeqytetin ukrainas Kiev në vitin 2003.

Dekreti u nënshkrua një ditë pasi ministrja e Energjisë, Svitlana Hrynchuk dhe ministri i Drejtësisë, Herman Halushchenko, dorëzuan letrat e dorëheqjes, sipas kryeministres Yulia Svyrydenko, e cila gjithashtu njoftoi pezullimin e zv/drejtorit të kompanisë shtetërore të energjisë bërthamore ‘Energoatom’.

Të dy ministrat dorëzuan dorëheqjet e tyre pasi presidenti Zelenskyy mbrëmë në një video adresim i bëri thirrje kryeministres Svyrydenkos për t’u siguruar që të dy ministrat ta bënin këtë, duke argumentuar se ata “nuk mund të qëndrojnë në detyrë” mes hetimit në vazhdim.

“Do të nënshkruar një dekret për të vendosur sanksione ndaj dy individëve të përfshirë në rastin NABU në lidhje me ‘Energoatom’-in”, tha Zelenskyy.

Të dy individët e dyshuar, Mindich dhe Tsukerman, në dekretin presidencial shënohen si qytetarë izraelitë.

Të hënën, Ukraina nisi një “operacion në shkallë të gjerë” në sektorin e energjisë së vendit për të zbuluar korrupsionin që përfshinte atë që Byroja Kombëtare kundër Korrupsionit (NABU) e përshkroi si një “organizatë kriminale të nivelit të lartë” që kërkonte të ndikojë në ndërmarrjet strategjike shtetërore, veçanërisht ‘Energoatom’.

NABU tha se hetimi i saj përfshinte 15 muaj punë dhe 1 mijë orë audio regjistrime dhe se anëtarët e “organizatës kriminale” dyshohet se kërkuan përfitime të paligjshme në masën 10-15 për qind të vlerës së kontratës shtetërore.

“Duke përdorur lidhje zyrtare në Ministrinë e Energjisë dhe kompaninë shtetërore, ata siguruan kontrollin mbi vendimet e personelit, proceset e prokurimit dhe lëvizjen e flukseve financiare”, tha zyra, duke shtuar se rreth 100 milionë dollarë kanë kaluar përmes skemës në fjalë.

Një ditë më vonë u bë e ditur se pesë persona u ndaluan dhe shtatë të tjerë ishin njoftuar për dyshime, përfshirë një biznesmen që drejtoi organizatën dhe një ish-këshilltar i ministrit ukrainas të Energjisë, ndërsa u kryen mbi 70 kontrolle.

Në ditën e nisjes së hetimit, agjencia shtetërore e lajmeve ‘Ukrinform’, duke cituar një burim raportoi se shtëpitë e të dyshuarve Mindich dhe Halushchenko u kontrolluan në kuadër të hetimit.

Ndërkohë, një artikull nga gazeta ‘Ukrainska Pravda’ dje raportoi se Mindich u largua nga vendi për në Poloni më shumë se katër orë para se të kontrollohej shtëpia e tij. Shërbimi Shtetëror Kufitar konfirmoi në të njëjtën ditë se Mindich kaloi ligjërisht kufirin e vendit në Poloninë fqinje.

Hetimi vjen vetëm katër muaj pasi Zelenskyy rivendosi pavarësinë e dy agjencive kryesore anti-korrupsion të vendit.

Zelenskyy kishte nënshkruar masa në ligj që e sollën NABU-në dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar Anti-Korrupsion (SAPO) nën mbikëqyrjen e prokurorit të përgjithshëm. Megjithatë, ai i ndryshoi masat pas protestave të mëdha, përfshirë ato në kryeqytetin Kiev.

Një goditje ndaj korrupsionit është thelbësore nëse Ukraina shpreson të përparojë aplikimin e saj për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian (BE), që zyrtarisht hapi negociatat e pranimit me Kievin në qershor të vitit 2024.

Kritikët thonë se Kievi ka vuajtur prej kohësh nga korrupsioni i përhapur dhe lufta e vazhdueshme me Rusinë thuhet se i ka lënë në hije përpjekjet për të zhdukur korrupsionin.

Kategoritë
BotaLajme