Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se është me rëndësi jetike që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mos e nxjerrin presidentin rus Vladimir Putin nga izolimi politik dhe ekonomik.
Këto komente, të dhëna për Eurovision News, vijnë një ditë pasi Rusia dhe Ukraina ranë dakord për një armëpushim të pjesshëm, me ndërmjetësimin e SHBA-ve, që përfshin ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe armiqësive në Detin e Zi. Në këmbim, SHBA-të pranuan të zgjerojnë qasjen e Rusisë në tregjet globale.
“Putini shpreson të qëndrojë në pushtet deri në vdekje,” tha Zelensky, duke shtuar se ambiciet e tij nuk kufizohen vetëm në Ukrainë, por mund të çojnë drejt “përballjes direkte me Perëndimin.”
Zelensky u bëri thirrje SHBA-ve dhe Evropës që të qëndrojnë të bashkuara në ushtrimin e presionit ndaj Putinit, raporton The Kyiv Independent.
Sipas Zelenskyt, lideri rus ka frikë nga aleanca euro-amerikane dhe shpreson ta përçajë atë.
“Putini gjithashtu ka frikë nga vdekshmëria e vet,” tha presidenti ukrainas, duke shtuar: “Ai do të vdesë së shpejti, kjo është fakt, dhe gjithçka do të përfundojë.”
Në një deklaratë të publikuar pas rundit të fundit të bisedimeve me delegatët rusë në Arabinë Saudite, SHBA-të kanë premtuar lehtësimin e disa kufizimeve ekonomike ndaj Rusisë si pjesë e marrëveshjes për armëpushimin e kufizuar.