Zëdhënësi i Qeverisë nuk e sheh “standard të dyfishtë” paraqitjen e Kurtit në Gjykatë, thotë se hetuesit e kanë intervistuar në zyrën e tij

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka reaguar pasi që paraqitja e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti në Gjykatë Themelore në Prishtinë, në seancën për kërcënimin e Faton Klinakut ndaj tij, u pa si “standard i dyfishtë”.

Kryeziu ka thënë se kjo nuk është “kurrfarë standardi i dyfishtë në raport me ftesën nga Prokuroria Speciale”, shkruan lajmi.net.

“Sa i përket ftesës së Prokurorisë Speciale, kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij. Përkundrazi, ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të respektuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies, duke kërkuar që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë. Ndërkaq në lidhje me rastin e kanosjes, zyrtarët hetues të autorizuar nga Prokuroria e kanë intervistuar kryeministrin Kurti pikërisht në zyrën e tij më 10 qershor 2025. Sot ai u paraqit në gjykatë si palë e dëmtuar”, ka shkruar Kryeziu.
Kryeministri Kurti është përballur sot me reagime të shumta, pasi i njëjti ndonëse ka pranuar disa ftesa me radhë nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar për rastin e rezervave shtetërore, ai nuk ka shkuar të dëshmoj.

Sot në seancën që u mbajt në Gjykatë Themelore, Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani janë deklaruar të pafajshëm.

Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit e bënë pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bekim Kodraliu.

Klinaku tha se konsideron që nuk ka vepër penale, andaj nuk e pranon fajësinë.

“Konsideroj se nuk ka vepër penale dhe nuk bëhet fjalë për kurrfarë kanosje dhe nuk e pranoj”, tha i akuzuari.

Edhe i akuzuari tjetër, Nuredin Selmani u deklarua i pafajshëm.

“Jo, nuk e pranoj”, tha ai.

Më pas, gjykatësi Rrahman Beqiri tha se konform nenit 240 të Kodit të Procedurës Penale, meqenëse nuk kemi pranim të fajësisë, njofton mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Ramë Dreshaj dhe Labinot Vata, se në afat prej 30 ditësh mund të paraqesin kundërshtim të provave.

Pasi gjykatësi i rastit Rrahman Beqiri njoftoi të dëmtuarin- kryeministrin në detyrë, Albin Kurti lidhur me të drejtat që ia njeh ligji, Kurti tha se nuk paraqet kërkesë pasurore-juridike. /Lajmi.net/ 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi