Kur udhëheqësit rus dhe bjellorus, Vladimir Putin dhe Aleksandër Lukashenko, njoftuan në mars të vitit 2023 se Moska do të vendoste armë taktike bërthamore në Bjellorusi, filloi kërkimi për vendin ku po ruhen raketat.
Në maj të vitit 2023, ministri i mbrojtjes së Bjellorusisë, Viktor Khrenin, dhe homologu i tij rus, Sergej Shoigu, nënshkruan publikisht një marrëveshje për ruajtjen e kokave bërthamore ruse.
Një muaj më vonë, Aleksandër Lukashenko deklaroi se vendi i tij kishte filluar të pranonte armë taktike bërthamore ruse, të cilat ai i përshkroi si tri herë më të fuqishme se bombat atomike që SHBA hodhi në Hiroshimë dhe Nagasaki gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ai shtoi se vetë kishte kërkuar nga Putini që “ta rikthejë armën bërthamore në Minsk” dhe se ishte i gatshëm ta përdorte atë “pa hezitim në rast të ndonjë agresioni ndaj Bjellorusisë apo Rusisë.”
Në një tekst të publikuar dje nga shërbimi bjellorus i Radios Evropa e Lirë, në një fotografi të objekteve ushtarake bjelloruse shihet një monitor i vendosur në një depo me mbishkrimin “indikator sinjali Atomtex AT2327”. Kjo pajisje përdoret për të monitoruar nivelin e rrezatimit të materialeve bërthamore, ndërkohë që e vetmja njësi e ushtrisë bjelloruse e specializuar për mbrojtje atomike, biologjike dhe kimike (ABHO) ndodhet qindra kilometra larg nga kjo vendndodhje.
Pamjet satelitore të publikuara së fundmi tregojnë zgjerime të konsiderueshme në këtë bazë, çka e përforcon më tej bindjen se Bjellorusia po ndërton objekte për ruajtjen e materialeve shtesë bërthamore apo kokave luftarake bërthamore.