Një ish-punonjës i Rezidencës së Kryeministrit të Izraelit ka bërë deklarata për mediat izraelite. Ish-punonjësi, emri i të cilit nuk është bërë publik, tha se bashkëshortja e Benjamin Netanyahut, Sara Netanyahu, ka ushtruar dhunë fizike ndaj personelit të rezidencës dhe ka shfaqur sjellje raciste e diskriminuese.
Është zbuluar se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i akuzuar për gjenocid, dhe bashkëshortja e tij kanë ushtruar dhunë fizike dhe kanë shfaqur sjellje raciste edhe ndaj punonjësve që shërbenin në rezidencën e kryeministrit.
Ish-punonjësi me inicialin “Y”, i cili foli për televizionin izraelit Kanal 12 dhe kërkoi që identiteti i tij i plotë të mbahej i fshehtë, deklaroi se gjatë periudhës kur punonte në rezidencën e kryeministrit në Jerusalemin Perëndimor, Sara Netanyahu e kishte keqtrajtuar atë dhe punonjësit e tjerë.
“UNË JAM PSIKOLOGJA KRYESORE E VENDIT, TI JE AUTIK”
Y pretendoi se Sara Netanyahu kishte paragjykime të hapura ndaj hebrenjve me prejardhje lindore, të njohur si Mizrahi, dhe ndaj punonjësve të huaj, duke i trajtuar ata si njerëz të dorës së dytë.
Ish-punonjësi tregoi se Sara Netanyahu e kishte shtyrë me forcë tri herë, me arsyetimin se nuk ishte e kënaqur me standardet e pastrimit. Ai tha se ka një djalë me autizëm të rëndë dhe se Sara Netanyahu e kishte fyer duke i thënë:
“Unë jam psikologia kryesore e vendit, ndërsa ti je autik.”
“PUNËTORES AFRIKANE I KISHTE PËRGATITUR RROBA TË VEÇANTA PËR T’I VESHUR NË REZIDENCË”
Y deklaroi se Sara Netanyahu kishte diskriminuar hapur edhe një punëtore afrikane. Sipas tij, punëtorja detyrohej që sa herë hynte në rezidencë, t’i hiqte rrobat që kishte veshur dhe të vishte rroba të përgatitura posaçërisht për të.
Ai shtoi se Sara Netanyahu nuk e lejonte punëtoren afrikane të bënte as pushim për të pirë ujë dhe se u kishte dhënë udhëzim punonjësve të tjerë që asaj t’i jepeshin ushqime me afat të skaduar.
“OBSESIVE DHE GRUMBULLUESE”
Y e akuzoi Sara Netanyahun se ishte tepër kërkuese në lidhje me pastërtinë, obsesive dhe grumbulluese sendesh.
Ai tha se Sara Netanyahu kishte ushtruar dhunë fizike ndaj tij tri herë kur nuk ishte e kënaqur me pastrimin. Gjithashtu, ajo kontrollonte personalisht nëse ai i kishte larë duart me sapun sa herë hynte në rezidencë.
Sipas Y-së, Sara Netanyahu ua ndalonte rreptësisht punonjësve të shkelnin mbi qilima. Po ashtu, përpara se rrobat e ardhura nga pastrimi kimik të vendoseshin në varëse, çdo varëse duhej të pastrohej me pecetë.
“SHPENZIMIN SHTESË DO TA PAGUASH TI”
Y pretendoi se, një herë, pasi nuk e kishte zbatuar plotësisht këtë rregull, Sara Netanyahu kishte marrë nga varësja një kostum të kryeministrit, e kishte hedhur në dysheme dhe kishte bërtitur se shpenzimet shtesë të pastrimit do t’ia ngarkonte atij.
Ish-punonjësi tha se ata fyheshin edhe kur hidhnin mbeturina pa marrë miratimin e saj. Ai pretendoi se Sara Netanyahu kontrollonte një nga një madje edhe sendet që kryeministri i kishte hedhur në mbeturina.
Y tregoi se pas çdo vakti, çdo pirun dhe thikë duhej të fshihej me tri peceta të ndryshme të lagura përpara se të vendosej në enëlarëse.
Ai shtoi se për çdo gotë që thyhej gjatë larjes, i kërkohej të paguante, ndërsa dyshemetë pastroheshin me peceta për foshnja.
Y tha gjithashtu se atyre u kërkohej të pastronin me peceta të lagura rreth 400 palë këpucë që ndodheshin në rezidencën e Netanyahut. Megjithatë, nëse gjatë pastrimit i fusnin duart brenda këpucëve, qortoheshin.
USHTROI DHUNË FIZIKE EDHE DJALI I SAJ
Ish-punonjësi Y nuk akuzoi vetëm Sara Netanyahun, por edhe djalin e çiftit, Yair Netanyahu, për ushtrim të dhunës fizike.
Duke folur për Kanal 12, Y deklaroi se Yair Netanyahu e kishte shtyrë dhe kishte ushtruar dhunë ndaj tij me arsyetimin se çarçafët e tij nuk ishin larë.
Y shtoi gjithashtu se, në kundërshtim me të drejtat e punëtorëve, ishte detyruar për një periudhë të gjatë të punonte jashtë orarit.



















