Williams për UÇK-në: Ishte strukturë mbi baza rurale dhe jo e bazuar në rregulla

Paul Williams, i cili ishte këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, ka deklaruar para Gjykatës Speciale në Hagë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), ishte një strukturë mbi baza rurale dhe jo duke u bazuar në rregulla.

Fillimisht, dëshmitari pohoi se Hashim Thaçi duhej të merrte miratimin e komandantëve të zonave në Kosovë për të nënshkruar marrëveshjen.

Pas kësaj, dëshmitari u pyet nëse ekzistonte ndonjë rregullore që e thoshte këtë.

“Nuk kam qenë në dijeni të kësaj dhe do të isha habitur shumë nëse do të kishte ekzistuar diçka me shkrim dhe është një strukturë mbi baza rurale dhe nuk iu vjen në mendje mendoj ky nivel ndërveprimi dhe do të kishte qenë shumë më normatve, kulturore më shumë autoritet dhe më pak e bazuar në rregulla”, tha dëshmitari.

Williams tregoi edhe për një rast kur ishte fotografuar Thaçi nga një fotograf francez, e që tashmë i akuzuari thuhet që kishte qenë i shqetësuar se mos po vihej në shënjestër nga Serbia.

Ai ka treguar edhe se si u vendos Hashim Thaçi në krye të delegacionit kosovar gjatë punimeve për Konferencën e Rambujesë.

Williams tha se në fillim të raundit për Konferencën e Rambujesë, delegacioni i Kosovës e kishte kryesinë me tre anëtarë në përbërje me Ibrahim Rugovën, Hashim Thaçin dhe Rexhep Qosjen. Sipas tij, rol joformal mori edhe Veton Surroi.

Dëshmitari tha se Thaçi u zgjodh me dy vota. Sipas tij, ai e votoi veten dhe e mori edhe votën e Rexhep Qosjes.

“Pyetja juaj ka dy pyetje në një pyeje; me aq sa di tre prej tyre ishin përzgjedhur me konsensus dhe kjo vjen nga procesverbali i takimit të 7 shkurtit që më ka treguar Edita Tahiri. Gjithashtu, më është dhënë dokumenti që më lejonte mua të futesha në kështjellë. Rugova ishte LDK-ja, Qosja nga LBS-ja dhe Thaçi nga UÇK-ja. Vendimi u mor- dy me një. Qosja votoi për Thaçin- Thaçi votoi për veten dhe kjo ishte mënyra se si u zgjodh Thaçi. Dy ishin pro Thaçit dhe një kundër tij”, tha ai.

Willimas tregoi se pse u vendos Thaçi që të ishte kryesuesi i delegacionit.

“Ekzistonte dëshira për procesin e pavarësisë së Kosovës dhe kjo çështje ishte me shumë shtresa; Rugova ishte pacifisiti dhe Rugova ishte pro pavarësisë. Ai nuk e hapte gojën në qoftë se nuk bihej dakord për pavarësinë. Kishim… e Bukoshit që ishte më e nuancuar dhe punonte me amerikanët dhe me evropianët ndërkohë që kishim edhe veprimin e aktorëve shtetërorë dhe pastaj kishim një dimension tjetër të vetëvendosjes së strategjisë për pavarësinë. Kështu që në negociata ti doje që të kishe një UÇK që tregonte përmes veprimeve dhe fjalëve dhe angazhimeve të veta që ky person i UÇK-së të ishte një negociator, një diplomat që mund të ishte një person ose një partner i besueshëm”, tha ai.

Dëshmitari theksoi kur i këshilluan negociatorët e paqes, iu ka thënë që delegacioni duhet të ketë karaktere të ndryshme dhe vlera të ndryshme në mënyrë të tillë që negociatori të jetë figura kryesore.

Ai tha se negociatat duhet të kenë natyrë kompromentuese, dikush që nuk lëshon pe e po ashtu edhe këshilltar.

Për Rugovën, ai tha se e kishte fjalën “Pavarësinë dhe mospërdorimin e forcës”. Tha se Rugova ka luajtur rol shumë të madh për përfaqësimin e popullit të Kosovës për shkak të ideve pacifiste.

Ai tha se Hashim Thaçi dhe i gjithë delegacioni kosovar e kërkonin pavarësinë.

“Hashim Thaçi dhe do të thoja të gjithë anëtarët e delegacionit shqiptar të Kosovës dhe ekspertët tyre kosovarë, shqiptarë, kërkonin pavarësinë”, tha Williams.

Deklaroi se ka kaluar shumë kohë duke iu shpjeguar se si mund të arrihet pavarësia pa u përmendur në marrëveshje.

“Pra, pavarësia ishte e domosdoshme. Kam kaluar shumë kohë duke u shpjeguar rrugën se si mund të arrinin pavarësinë në qoftë se fjala pavarësi nuk shkruhej në marrëveshjen e Rambujesë”, shtoi ai.

Përveç kësaj, dëshmitari tha se Thaçi kishte studiuar në Zvicër dhe përveç kësaj ai nuk ishte një fshatar nga zonat e thella të fshatrave në kuptimin që dinte si të sillej, ishte i qytetëruar./Betimi për Drejtësi

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi