Vrasja e Lulzimit: Deputetët kërkojnë kujdes në shëndetin mendor të adoleshentëve në shkolla

Pas vrasjes së Lulzim Fejzullahut, anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, kanë kërkuar nga institucionet përgjegjëse për kujdes më të shtuar të shëndetit mendor të adoleshentëve në shkolla.

Kryetarja e këtij Komisioni, Fatmire Kollçaku ka kërkuar që të organizojnë një tryezë të përbashkët me Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Arsimit ku do të diskutohet për aspektin e shëndetit mendor dhe numrin e psikologëve në shkolla.

Ajo ka thënë se ngjarja e fundit duhet të shqetësojë të gjithë shoqërinë dhe deputetët.

“Për neve është shumë brengosëse, sepse ka ndodhur mes të rinjve tanë, gjë që ne nuk do të donim të shohim kurrë diçka të tillë. Unë mendoj që ne si Komision ta propozojmë një tryezë të përbashkët me ministrat e Drejtësisë dhe të Arsimit, bashkërisht ta organizojmë dhe ta diskutojmë duke qenëse ne e mbulojmë pjesën e mirëqenies dhe për punë sociale, aspektin e shëndetit mendor, prezenca e psikologëve, sa është numri i tyre, kjo kërkon një shqetësim të gjithë shoqërisë dhe neve si deputet”, tha Fatmire Kollçaku.

Deputeti i VV-së, Burim Meta, tha se viti ka filluar me pamje makabre, sipas tij, nga ky rast shihet që të rinjtë kanë probleme të theksuara me shëndetin mendor.

“Po fillojmë ketë vit me pamje makabre që po ndodhin në shtetin tonë. Akoma më e dhimbshme që po ndodhin tek adoleshentet tanë. Po të shohësh këto pamje tronditëse vërejmë që kemi probleme të theksuara me shëndetin mendor”, tha Meta.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se ky rast nuk duhet të heshtet por duhet që të ngrihet zëri më fuqishëm dhe të kërkohet përgjegjësi nga institucionet për raste të tilla.

“Mendoj që nuk është e tepërt vetëm të përsëritet sepse rastet e tillë janë shqetësim.  Mendoj që nuk duhet të heshtet duhet të jetë zëri me i fuqishëm për të gjitha nivelet në përgjithësi si institucionale duke filluar nga edukimi prindëror deri te përgjithësia që ka të bëj me sundimin e rendit të ligjit”, tha ai.

Deputeti i VV, Haxhi Avdyli ka thënë se ka ardhur koha që duhet të merren hapa konkret sa i përket kësaj çështje, sipas tij, duhet të punohet që këto fenomene të parandalohen duke filluar nga institucionet arsimore.

“Nuk është hera e parë që ka ndodh, vazhdimisht edhe viteve të kaluara dhe e kemi kaluar duke reaguar dikush neper rrjete sociale, dikush duke shkruar ndonjë rresht, por ka ardhur koha që të merrem me hapa konkret në ketë drejtim. Ne duhet të him në thelb të çështjeve të merremi me parandalimin e këtyre fenomeneve dhe ka mundësi që këto fenomene të parandalohen, duke filluar nga puna më e madhe ne institucione të arsimit. Mund të bëjmë ndonjë shtysë ose presion të këtij sektori që shkolla të luan rol më te madh po ashtu edhe ne kuptimin edukimit dhe kontrollit të madh”, ka thënë Avdyli.

Lulzim Fejzullahu është 18 vjeçari i cili u vra si pasojë e rrahjes brutale që ka marrë nga dy të mitur në Podujevë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi