Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës nuk tregon asnjë shenjë ngadalësimi, dy ditë pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi se palët ishin pajtuar për një armëpushim të pjesshëm. Ushtria ruse ka sulmuar qytetet më të populluara të Ukrainës — Sumy, Dnipro, Harkiv dhe Kherson — me dronë.
Dhjetëra dronë kamikazë Shahed goditën të mërkurën në mbrëmje zonat e banuara në Harkiv, duke plagosur tetë persona, përfshirë një vajzë 12-vjeçare.
Në Dnipro, një qytet industrial në lindje të Ukrainës, dronët shkaktuan disa zjarre të mëdha dhe plagosën tre persona, deklaroi guvernatori lokal Serhiy Lysak. Ai shtoi se në sulmin e fundit janë dëmtuar biznese, institucione arsimore e kulturore, si dhe dhjetëra ndërtesa të larta, raporton Politico.
“Çdo ditë në Ukrainë shënohet nga sulme të mëdha me dronë sulmues. Irani e ka mësuar Rusinë se si të prodhojë këto mjete pa pilot. Asnjë vend nuk duhet të kalojë nëpër atë që po kalon Ukraina”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një postim në X.
“Në këtë kontekst, të flasësh për lehtësim presioni ndaj Rusisë, heqje të sanksioneve, e të ngjashme, është padyshim e papërshtatshme dhe e padobishme”, shtoi ai.
Ndërsa Ukraina ka pranuar një armëpushim të pakushtëzuar nën presionin e Shteteve të Bashkuara, Rusia ka kërkuar heqjen e sanksioneve ndaj bankave të saj bujqësore dhe flotës së saj në hije. Kremlini po ashtu kërkon të kontrollojë anijet ukrainase në korridorin detar të rivendosur nga Kievi, pas një sulmi ndaj marinës ruse, pasi Moska u tërhoq nga Iniciativa për Grurin e Detit të Zi më 2023.
“Pas takimit tonë, rusët paraqitën në detaje një numër kushtesh që dëshirojnë të plotësohen për të pranuar armëpushimin në Detin e Zi. Disa nga këto sanksione nuk janë në dorën tonë – ne do t’i vlerësojmë dhe pastaj do t’ia paraqesim presidentit”, tha sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, në një konferencë për media të mërkurën.
Por Kievi ka frikë se Rusia po e zvarrit qëllimisht luftën duke paraqitur kërkesa që Ukraina nuk mund t’i përmbushë, pasi në thelb do të përfaqësonin lëshime dhe në fund kapitullim të Kievit para Moskës.
“Propozimi i SHBA-së për një armëpushim të pakushtëzuar është në tavolinë prej gjysmë muaji. Është i domosdoshëm presioni ndaj Rusisë për të shpëtuar jetë dhe që diplomacia të funksionojë më shpejt dhe më me efikasitet. Pa presion ndaj Rusisë, nuk do të ketë rezultat”, tha Zelensky.