Venezuela po përgatitet për një pushtim amerikan: Po përgatiten për luftë guerile dhe “anarhizim”

Venezuela po shpërndan armë dhe planifikon të nisë rezistencë guerile ose të përhapë kaos në rast të një sulmi ajror ose tokësor nga Shtetet e Bashkuara, sipas burimeve të njohura me planet dhe përpjekjet, si dhe dokumenteve që ka parë agjencia Reuters.

Presidenti amerikan Donald Trump kishte sugjeruar mundësinë e operacioneve tokësore në Venezuelë, por më vonë e mohoi se po shqyrtonte sulme brenda territorit të Venezuelës.

Presidenti venezuelian Nicolás Maduro, në pushtet që nga viti 2013, thotë se Trump dëshiron ta rrëzojë atë dhe se qytetarët dhe ushtria venezueliane do t’i rezistojnë çdo përpjekjeje të tillë.

Forcat e armatosura amerikane janë shumë më superiore se ato venezueliane, të cilat janë dobësuar për shkak të mungesës së trajnimit, pagave të ulëta dhe pajisjeve të vjetruara, thonë burime të njohura me aftësitë ushtarake të Venezuelës.

Disa komandantë njësish janë detyruar të negociojnë me prodhues lokalë ushqimi për të ushqyer trupat e tyre, pasi rezervat shtetërore nuk mbërrijnë me kohë, ka raportuar Reuters.

Kjo gjendje e ka shtyrë qeverinë e Maduros të mbështetet në dy strategji të mundshme, përfshirë edhe një reagim gueril që zyrtarë të lartë e kanë përmendur publikisht pa dhënë detaje.

Mbrojtja guerile, që qeveria e ka quajtur “rezistencë e zgjatur” dhe për të cilën është folur në transmetimet e televizionit shtetëror, do të përfshinte njësi të vogla ushtarake në mbi 280 vende që do të kryenin sabotime dhe taktika të tjera guerile.

Strategjia tjetër, e quajtur “anarhizim”, do të përdorte shërbimet e inteligjencës dhe mbështetës të armatosur të partisë në pushtet për të nxitur trazira në rrugët e kryeqytetit Caracas dhe për ta bërë Venezuelën të papërballueshme për forcat e huaja.

“Nuk do të zgjatnim as dy orë në një luftë konvencionale,” ka thënë një burim afër qeverisë. Një tjetër burim me njohuri për mbrojtjen dhe sigurinë ka theksuar se vendi nuk është as i përgatitur, as i profesionalizuar për konflikt, pavarësisht pretendimeve të autoriteteve.

“Nuk jemi gati të përballemi me njërën nga ushtritë më të fuqishme dhe më të trajnuara në botë,” ka thënë burimi.

Ministria e Komunikimeve, e cila merret me pyetjet mediatike në emër të qeverisë, nuk iu përgjigj pyetjeve të Reuters. Zyrtarët publikisht e kanë minimizuar kërcënimin e ushtrisë amerikane.

“Menduan se gjithçka do të mbaronte me bomba. Këtu, në këtë vend?” kujtoi ministri i Brendshëm Diosdado Cabello në televizionin shtetëror në fillim të nëntorit, ndërsa Maduro e ka lavdëruar shpesh “ushtarin e atdheut” si trashëgimtar të heronjve të pavarësisë, si Simón Bolívar.

Maduro ka ruajtur besnikërinë ushtarake duke ndjekur strategjinë e paraardhësit të tij, Hugo Chávez, i cili caktonte oficerë në poste shtetërore si ministra apo drejtorë kompanish publike për të siguruar lojalitetin e tyre.

Udhëheqja ushtarake mbështeti fitoren e Maduros në zgjedhjet e vitit 2024, pavarësisht provave — të konfirmuara nga shumë vëzhgues ndërkombëtarë — se kandidati opozitar kishte fituar bindshëm.

Megjithatë, trupat venezueliane po përballen me kushte të këqija pune dhe mund të ketë dezertime në rast sulmi, raportuan burime për Reuters.

Ushtarët e zakonshëm fitojnë rreth 100 dollarë në muaj në monedhën vendase, shumë më pak se rreth 500 dollarët e nevojshëm për shportën bazë ushqimore, sipas të dhënave të Qendrës për Dokumentim dhe Analizë Sociale të Federatës së Punonjësve të Arsimit të Venezuelës (prill).

Në vitet e fundit, përvoja e tyre kryesore ka qenë përballja me civilë të paarmatosur gjatë protestave, tha një burim pranë opozitës.

Maduro ka deklaruar se tetë milionë civilë janë duke u trajnuar në milici për të mbrojtur Venezuelën, dhe disa civilë kanë thënë për Reuters se janë të gatshëm të vdesin për mbrojtjen e atdheut nga forcat e huaja. Megjithatë, një burim me njohuri për mbrojtjen ka vlerësuar se në një skenar të “anarhizimit” do të merrnin pjesë vetëm 5.000 deri në 7.000 persona, përfshirë personel të inteligjencës, mbështetës të armatosur të partisë dhe milici.

Ndërkohë, qeveria mund të mobilizojë rreth 60.000 anëtarë të Ushtrisë dhe Gardës Kombëtare për mbrojtjen guerile.

Pajisjet ushtarake, kryesisht të prodhimit rus dhe të vjetra prej dekadash, janë të pamjaftueshme, sipas burimeve të Reuters.

Në vitet 2000, Venezuela bleu rreth 20 avionë luftarakë Suhoi nga Rusia, por krahasuar me avionët amerikanë B-2 “ato nuk janë asgjë,” tha një burim me njohuri në mbrojtje, duke shtuar se helikopterët, tanket dhe raketat portative të Venezuelës janë gjithashtu të vjetruara.

Ministria e Jashtme e Rusisë javën e kaluar deklaroi se është e gatshme t’i përgjigjet kërkesave të Venezuelës për ndihmë, duke bërë thirrje për shmangien e përshkallëzimit të tensioneve. Maduro i është drejtuar Moskës për riparime të avionëve Suhoi, përmirësim të sistemeve të radarit dhe furnizim me sisteme raketore.

Një nga burimet tha se Venezuela tashmë ka shpërndarë 5.000 raketat ruse Igla, dhe urdhrat ushtarakë janë që, pas goditjes së parë, të gjitha njësitë të shpërndahen ose të tërhiqen me armët e tyre dhe të fshihen në lokacione të ndryshme.

“Çdo forcë ushtarake në botë e njeh fuqinë e Igla-S, dhe Venezuela ka jo më pak se 5.000 të tilla,” tha Maduro gjatë një transmetimi të fundit në televizionin shtetëror.

Ai shtoi se raketat portative dhe operatorët e tyre janë vendosur “deri në malin e fundit, në vendin e fundit dhe në qytetin e fundit të territorit”.

Grupet opozitare venezueliane, OJQ-të, Uashingtoni dhe disa qeveri të Amerikës Latine kanë akuzuar administratën e Maduros dhe ushtrinë venezueliane për lidhje me trafikun e drogës, veçanërisht në perëndim të vendit, ku veprojnë grupe guerile kolumbiane si Ushtria e Çlirimit Kombëtar (ELN) dhe ku kultivohet gjerësisht bima koka, përbërësi bazë i kokainës. Qeveria i ka mohuar vazhdimisht këto akuza dhe pretendon se është duke luftuar kundër kontrabandistëve kolumbianë të drogës.

Kategoritë
BotaLajme