Një 25 vjeçare nga Gjakova vdiq mbrëmë në Tetovë. Mediat në RMV fillimisht dhanë versione kontradiktore por Prokuroria atje tha se deri tani nuk ka indikacione për vdekje si pasojë e një vepre penale. Familjarët e viktimës i kanë thënë Gazetës Express se viktima kohëve të fundit ka pasur mosmarrëveshje dhe probleme me të dashurin e saj- që është djali i një biznesmeni nga Maqedonia e Veriut.
Një 25- vjeçare nga Kosova është gjetur pa shenja jete mbrëmë në Tetovë. Sipas mediave atje, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00.
Raportohet se viktima është S.D. nga Gjakova, që po studionte në nivelin master në Tetovë dhe se ajo ka rënë nga një objekt në ndërtim e sipër, derisa në vendin e ngjarjes janë gjetur disa barna.
Ambasada e Kosovës në Shkup, përmes një postimi në Facebook, e ka konfirmuar se viktima është shtetase e Kosovës dhe ka thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet maqedonase.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup është njoftuar para pak orësh nga Policia Rajonale e Tetovës se sot, rreth orës 18:00, në një lagje të këtij qyteti është gjetur pa shenja jete një shtetase e Republikës së Kosovës. Ambasada ka vendosur menjëherë kontakt me autoritetet relevante policore dhe po e ndjek nga afër zhvillimin e rastit”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Tetovë ka deklaruar se të dhënat e para nuk japin indikacione për vdekje si pasojë e një vepre penale.
Ata thonë se do të intervistohen disa persona dhe se organet hetimore po veprojnë intensivisht për të sqaruar shkaqet.
“Prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike në Tetovë dje ka kryer ekspertizë në vendin ku është gjetur trupi i pajetë i një gruaje të re, si edhe në banesën me qira ku ajo kishte qëndruar. Po ndërmerren të gjitha veprimet për të hetuar shkaqet e vdekjes me kontrolle dhe ekspertiza të detajuara në vendngjarje, ndonëse të dhënat fillestare dhe gjurmët në terren nuk tregojnë se bëhet fjalë për vdekje si pasojë e një vepre penale. Megjithatë, është urdhëruar obduksioni, do të merren në pyetje disa persona, ndërsa prokuroria dhe të gjitha organet hetimore po veprojnë intensivisht për të sqaruar shkaqet.”
Por, sipas informacioneve të Gazetës Express, 25 vjeçarja kishte qenë në një lidhje dashurie me djalin e një biznesmeni nga Maqedonia e Veriut. Familjarët e vajzës së ndjerë i thanë Expressit se vajza e tyre tani më e ndjerë kohëve të fundit ka pasur mosmarrëveshje dhe probleme me të dashurin e saj.
Mirëpo ende nuk ka version zyrtar nga organet e shtetit se çfarë në të vërtetë ndodhi, pra rasti ende konstatohet si vdekje e dyshimtë.


















