Kryetari i sapozgjedhur i qytetit të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, në fjalimin e tij pas fitores iu drejtua përkrahësve duke theksuar se fushata e Donald Trump është mundur, por ai nuk e përjashton mundësinë e bisedimeve për uljen e kostos së jetesës.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Mamdani tha se premtimet e Trumpit për ushqime më të lira nuk i sollën fitore, ndërsa programi i tij elektoral do të prodhojë rezultate të prekshme.
“Ajo që i frikëson republikanët në mbarë vendin është fakti se ne do ta zbatojmë realisht këtë program. Dhe ky kontrast është diçka që ata nuk mund ta përballojnë,” deklaroi Mamdani.
Sipas tij, Nju Jorku përballet aktualisht me dy sfida kryesore – një administratë autoritare dhe rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore.
“Detyra ime është t’i zgjidh të dyja këto probleme. Prandaj mezi pres ato bisedime ku do të bëj të qartë se, nëse ka diçka që mund të ndihmojë banorët e këtij qyteti, jam i gatshëm të bisedoj me këdo,” shtoi ai.
Mesazhi kryesor i fjalimit të tij ishte ftesa për Donald Trumpin që të hapet një dialog për realizimin e objektivave të uljes së kostos së jetesës në Nju Jork.
“Dita ime e parë në Bashkinë e Nju Jorkut do të duket si dita ime e fundit – e përqendruar tek kostoja e jetesës dhe tek ofrimi i shërbimeve për banorët e këtij qyteti që janë detyruar të largohen për shkak të shpenzimeve të larta,” tha Mamdani.
Megjithëse kabineti i tij ende nuk është formuar, Mamdani konfirmoi se do ta mbajë Jessican Tisch në detyrën e Komisioneres së Policisë, një vendim që shumëkush e sheh si përgjigje ndaj shqetësimeve se ai mund të shkurtonte fondet për policinë – gjë që ai më herët e kishte quajtur “kërcënim për sigurinë publike”.
Ai shtoi gjithashtu se pret me padurim bashkëpunimin me liderët hebrenj – qoftë ata zyrtarë të zgjedhur, rabinë apo drejtues komunitetesh – me qëllim që “të përmbushim premtimin për të mbrojtur, nderuar dhe vlerësuar qytetarët hebrenj të Nju Jorkut.”















