Një grua është dërguar në QKUK pasi ishte alivanosur të shtunën në autobus urban në Prishtinë e më pas mjeku ka konstatuar vdekjen e saj. Lidhur me rastin ka dhënë detaje Trafiku Urban, duke treguar se viktima kishte hipur në autobusin e linjës 3C.
Sipas njoftimit të Trafikut Urban, gruaja që po qëndronte ulur në një karrige ishte alivanosur dhe ndaj kësaj situate kishte reaguar menjëherë konduktori.
“Konduktori reagon menjëherë, duke ofruar ndihmë dhe njoftuar shërbimin e ndihmës së shpejtë, të cilët kanë arritur për 4 minuta në vendngjarje”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë i Trafikut Urban:
Me datën 02.03.2024 në autobusin e linjës 3C, rreth orës 12:13, stafi i autobusit ka njoftuar se ka ndodhur një rast në autobus ku është alivanosur një qytetare.
Në bazë të videoincizimeve të nxjerra nga kamerat e autobusit dhe raportit të punëtorëve që ishin në autobus, vërehet se qytetarja në fjalë ka hyrë në autobus së bashku me një qytetare tjetër nga dera e parë dhe është ulur në karrigen e parë në anën e djathtë të autobusit në krah me derën e hyrjes. Pasi që është ulur, qytetarja alivanoset dhe konduktori reagon menjëherë, duke ofruar ndihmë dhe njoftuar shërbimin e ndihmës së shpejtë, të cilët kanë arritur për 4 minuta në vendngjarje.
Vlen të theksohet se në kohën e ndodhjes së ngjarjes, autobusi ka qenë i ndalur në stacion, në të cilin kanë qenë prezentë rreth 17 qytetarë!
Theksojmë se stafi ynë është trajnuar për të reaguar në këto raste, e edhe në këtë rast ka reaguar shpejt dhe me përgjegjësi.