Vazhdon drama ballkanike e spiunazhit dhe dashurisë: Piloti kroat e dinte se e dashura e tij shpërndante informacione

“Ana bazë dhe e shenjtë e këtij zanati është: gjithçka është e kundërt nga ajo që duket”, është fjalia e famshme e aktorit legjendar Danilo Bata Stojković nga filmi “Spiuni Ballkanik” – një thënie që sot shumëkush e lidh me skandalin e fundit të spiunazhit me përmasa ballkanike, shkruan Slobodna Dalmacija.

Në qendër të kësaj afere janë J. I. (54), pilot i Forcave Ajrore të Kroacisë nga Spliti, dhe partnerja e tij shumëvjeçare A. M. (46), shtetase e Serbisë, sociologe e papunë nga Mitrovica e Kosovës.

Arrestimi dhe paraburgimi

Të dy u dërguan në paraburgim në burgun e Bilicës në Split, pasi gjyqtari i hetimeve i Gjykatës së Qarkut pranoi kërkesën e prokurores Julijana Stipišić për hapjen e hetimeve për spiunazh.
Piloti mbahet për rrezikun e ndikimit mbi dëshmitarët, ndërsa partnerja e tij edhe për rrezikun e arratisjes – pasi është shtetase e Serbisë dhe nuk ka lidhje familjare, ekonomike apo profesionale me Kroacinë.

Sipas Kodit Penal, atij i kërcënohet 1 deri në 10 vite burg, ndërsa për partneren, dënimi i mundshëm shkon nga 6 muaj deri në 5 vite.

Si u njohën dhe dyshimet e para

Dyshja u njoh në vitin 2016, kur piloti shërbente në misionin e KFOR-it dhe ajo punonte si përkthyese në EULEX.
Në deklaratat e tij, piloti ka mohuar se ka shpërndarë informacione sekrete, megjithëse ka pranuar se dyshonte se partnerja e tij mund të merrej me “shitjen” e të dhënave konfidenciale.

Pyetja që ngrihet është pse nuk e raportoi atë, nëse e dyshonte. Apo, siç thotë fraza nga filmi, “gjithçka është e kundërt nga ajo që duket”?

Dyshimet për lidhje me politikën serbe dhe BND-në gjermane

Prokuroria e ngarkon pilotin se i ka transmetuar partneres të dhëna mbi lëvizjet e KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat ajo më pas, përmes aplikacioneve të koduara, ua përcillte drejtuesve të partisë Lista Serbe, të lidhur me presidentin Aleksandar Vučić, si dhe individëve që autoritetet e Kosovës i konsiderojnë liderë të organizatave serbe ekstremiste.

Partnerja, në deklaratën e saj, ka thënë madje se ka bashkëpunuar me shërbimin sekret gjerman (BND), gjë që mund ta shndërrojë çështjen në një skandal me përmasa ndërkombëtare.

Lidhjet me “Brigadën e Veriut”

Ajo ka pranuar se e njeh që nga fëmijëria Vladimir Radivojević – Mami, një nga liderët e “Brigadës së Veriut” në Kosovë, e cila njihet për ngritjen e barrikadave dhe konfrontimet me autoritetet e Prishtinës. Emri i tij është përmendur edhe në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë, shtator 2023.

Avokatët dhe mbrojtja

Avokatët e të dyshuarve kanë deklaruar se klientët e tyre janë të pafajshëm dhe se siguria e Kroacisë nuk ka qenë e rrezikuar, pasi të dhënat nuk lidhen me çështje të brendshme kroate.

Për momentin, hetimi do të përcaktojë nëse çështja ka qenë vetëm një aferë dashurore e ndërthurur me spiunazh lokal, apo një skemë më e gjerë ndërkombëtare që përfshin Serbinë dhe shërbimet sekrete evropiane.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi