Media lokale raportoi se automjetet ushtarake izraelite kanë avancuar në fshatrat Al-Mushrifah dhe Al-Samadaniyah al-Sharqiyah
Ushtria izraelite ndërmori një tjetër inkursion ushtarak në provincën Kuneitra në jug të Sirisë, në shkeljen më të fundit të sovranitetit të vendit, transmeton Anadolu.
Katër automjete ushtarake avancuan në fshatin Al-Mushrifah, në zonën rurale të Kuneitrës, raportoi Agjencia shtetërore Siriane e Lajmeve (SANA). Bastisja përtej kufirit ndodhi pak pas lëvizjes së tri automjeteve ushtarake në fshatin Al-Samadaniyah al-Sharqiyah në jug të Sirisë.
Damasku ka dënuar vazhdimisht shkeljet e vazhdueshme të Izraelit ndaj sovranitetit të tij, duke riafirmuar përkushtimin ndaj Marrëveshjes së Çmilitarizimit të vitit 1974 të nënshkruar midis dy vendeve, një marrëveshje që Izraeli e shpalli të pavlefshme pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Asadit në fund të vitit 2024.
Inkursionet izraelite në Kuneitra janë intensifikuar kohët e fundit, me banorët vendas që ankohen për përparimet e Tel Avivit në tokat e tyre bujqësore si dhe për shkatërrimin e qindra hektarëve pyje, arrestimet e banorëve dhe ngritjen e pikave ushtarake të kontrollit.
Megjithëse, administrata aktuale në Damask nuk paraqet asnjë kërcënim për Izraelin, ushtria izraelite ka hyrë në mënyrë të përsëritur në territorin sirian, duke kryer sulme ajrore që kanë vrarë civilë dhe kanë shkatërruar pozicione ushtarake, automjete, armë dhe municione të ushtrisë siriane.
Presidenti sirian Ahmad al-Sharaa ka deklaruar më herët se ushtria izraelite ka kryer mbi 1.000 sulme ajrore dhe më shumë se 400 inkursione që nga rrëzimi i regjimit të Asadit më 8 dhjetor 2024.








