Imazhet tregojnë shkatërrime të mëdha në Rafah, ku qeveria izraelite thotë se do t’i shtyjë palestinezët drejt kësaj zone në kuadër të një plani ushtarak të miratuar për zgjerimin e sulmeve izraelite në enklavë
Imazhet satelitore të publikuara së fundmi treguan se ushtria izraelite ka shkatërruar pothuajse 80 për qind të ndërtesave në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës gjatë luftës së saj të vazhdueshme në enklavën palestineze, transmeton Anadolu.
Transmetuesi izraelit “Channel 12” publikoi imazhe që tregojnë shkatërrime të mëdha në Rafah, ku qeveria izraelite thotë se do t’i shtyjë palestinezët drejt kësaj zone në kuadër të një plani ushtarak të miratuar për zgjerimin e sulmeve izraelite në enklavë.
Të dielën, Kabineti i Sigurisë i Izraelit miratoi një plan ushtarak, me emrin e koduar “Karrocat e Gideonit”, i cili përcakton vizionin e Izraelit për një prani afatgjate në Gaza, duke përfshirë kontrollin e plotë ushtarak, zhvendosjen me forcë të civilëve dhe marrjen nën kontroll të shpërndarjes së ndihmës humanitare.
Duke cituar një analizë nga Qendra e Sistemeve të Informacionit Gjeografik të Universitetit Hebraik, transmetuesi izraelit tha se 80 për qind e ndërtesave të qytetit Rafah janë shkatërruar.
Sipas kanalit televiziv, mijëra ndërtesa janë shkatërruar në qytet, veçanërisht në zonat afër Korridorit të Filadelfit përgjatë kufirit me Egjiptin.
20 për qind e ndërtesave të mbetura, sipas “Channel 12”, ndodhen në pjesën veriore të qytetit Rafah.
Siç raportoi kanali, qyteti verior Jabalia, zona e Korridorit Netzarim që ndan Gazën veriore nga jugu i saj, si dhe qyteti Khan Younis, po ashtu në Gazën jugore, gjithashtu dëshmojnë shkatërrime të mëdha të ngjashme me qytetin Rafah.
Që nga 7 tetori i vitit 2023, nga sulmet brutale të ushtrisë izraelite në Gaza jetën e kanë humbur të paktën 52.600 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Për luftën në enklavën palestineze, Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.