Finalja PSG-Inter: Beteja që mund të vendosë ‘Topin e Artë’ – por në garë mbetet edhe Yamal

Pas triumfit të PSG-së ndaj Arsenalit (2-1, 1-0 në ndeshjen e parë) dhe suksesit dramatik të Interit ndaj Barcelonës (4-3 pas vazhdimeve, 3-3 në ndeshjen e parë), finalja e Mynihut më 31 maj do të jetë vendimtare për disa prej kandidatëve kryesorë për “Topin e Artë”.

Me vetëm dy finalistë në garë, performancat në “Allianz Arena” mund të përcaktojnë fituesin e çmimit më prestigjioz individual.

Katër janë kandidatët kryesorë deri tani në luftë për ‘Topin e Artë’.

Lautaro Martínez, lideri i Interit në garë

Sulmuesi argjentinas ka qenë i jashtëzakonshëm në Ligën e Kampionëve, me 9 gola të shënuar. Një fitore ndaj PSG-së do ta katapultonte atë në listën e favoritëve për Topin e Artë.

Megjithatë, sezoni i tij në Serie A ka qenë më modest — me 12 gola — dhe Interi ka humbur pothuajse titullin në Itali dhe është eliminuar nga Kupa e Italisë. Këto faktorë mund të ndikojnë në renditjen e tij përfundimtare.

Donnarumma dhe Dembele, dyshja e artë e PSG-së

Gianluigi Donnarumma ka shkëlqyer gjatë gjithë fazave eliminatore dhe, përveç titullit të Ligue 1, ai mund të shtojë edhe Kupën e Francës përpara finales së Mynihut. Ai është favorit për Trofeun Yachine dhe një kandidat i fortë edhe për Topin e Artë.

Ousmane Dembele po kalon sezonin më të mirë të karrierës, me 33 gola dhe 13 asistime në të gjitha garat. Ai ka qenë lideri i PSG-së dhe një tjetër pretendent i fortë për çmimet individuale.

Yamal dhe të eliminuarit e mëdhenj

Eliminimi në gjysmëfinale i Lamine Yamal e ka dëmtuar pozitën e tij, pavarësisht suksesit në garat vendase me Barcelonën.

Megjithatë, me Superkupën e Spanjës, Kupën e Mbretit dhe një titull të afërt në La Liga, ai ende mund të synojë një vend në podiumin e Topit të Artë.Përfundimi i Ligës së Kombeve në qershor mund të ndikojë gjithashtu.

Kategoritë
LajmeSport