Ushtria gjermane po përgatitet për skenarin më të keq të mundshëm – një luftë të madhe në Evropë. Gjeneral-lejtnanti Alexander Sollfrank ka zbuluar se “Plani Operativ Gjermania” është tashmë gati për aktivizim “që nesër”, dhe se qëllimi i tij është të mundësojë mobilizim të shpejtë dhe zhvendosjen e trupave të NATO-s drejt krahut lindor në rast të një sulmi rus.
Sollfrank tha në një intervistë për Reuters se Gjermania është e aftë të drejtojë njësitë e NATO-s në vendin e duhur, në mënyrë që Rusia të mos guxojë të sulmojë. Ai shtoi se kompanitë gjermane duhet të përgatiten për skenarë krize, ndërsa ushtria duhet të forcojë ndjeshëm kapacitetet e saj.
“Plani Operativ Gjermania është një plan që mund ta aktivizojmë që nesër, nëse është e nevojshme. Ai ekziston për të garantuar që njësitë e NATO-s dhe forcat ndërkombëtare të lëvizin sa më shpejt dhe në mënyrë të organizuar përmes Gjermanisë drejt krahut lindor, duke i dërguar Rusisë një mesazh të qartë:
Kujdes, mos na provokoni – jemi të përgatitur.”
Kthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak
Gjenerali pranoi se ushtria gjermane, që aktualisht ka rreth 182.000 trupa aktive, duhet të zgjerohet ndjeshëm.
“Na duhen shumë më tepër njerëz, dhe mendoj se shërbimi i detyrueshëm ushtarak është një pjesë thelbësore e kësaj. Vendet e tjera si Suedia e Danimarka na tregojnë se si bëhet,” – theksoi Sollfrank.
“Mbrojtja nuk është vetëm detyrë e ushtrisë”
Ai u bëri thirrje edhe kompanive gjermane të përgatiten për situata emergjente.
“Mbrojtja nuk mund t’i lihet vetëm forcave të armatosura. Nëse ua lëmë vetëm atyre, sistemi nuk do të funksionojë. Duhet një shoqëri e fortë, e qëndrueshme dhe e organizuar – kjo vetvetiu ka efekt parandalues. Shikoni Ukrainën: ajo ende funksionon si shtet edhe pas tre vitesh e gjysmë sulmesh masive.”
Sollfrank shtoi se është jetike që institucionet dhe bizneset të vazhdojnë punën edhe gjatë luftës – shkollat, postat, furrat e bukës dhe shërbimet bazë.
Dokumenti sekret prej 1.000 faqesh
Sipas raportimeve të Frankfurter Allgemeine Zeitung, versioni i parë i Planit Operativ përmban rreth 1.000 faqe, shumica ende të klasifikuara. Dokumenti përfshin listën e objekteve strategjike që duhet mbrojtur dhe përshkruan me hollësi si duhet të veprojë Gjermania në rast të një sulmi rus ndaj krahut lindor të NATO-s.
Në një skenar të tillë, Gjermania do të shndërrohej në qendër logjistike për dhjetëra ose qindra mijëra ushtarë që do të dërgoheshin me urgjencë në lindje.
Përgatitje për krizë në çdo kompani
Dokumenti gjithashtu fokusohet te roli i sektorit privat.
“Për çdo 100 të punësuar, trajnoni të paktën pesë shoferë kamionësh shtesë, edhe nëse nuk ju duhen tani. Shtatëdhjetë për qind e kamionëve në Gjermani drejtohen nga shoferë nga Europa Lindore. Nëse shpërthen lufta – ku do të jenë ata njerëz?” – paralajmëroi nënkoloneli Jörn Plischke, shef i qendrës komanduese të landit Hamburg.
Ai këshilloi që çdo kompani të ketë një plan të detajuar emergjent, për të siguruar vazhdimësinë e punës dhe mbështetjen e strukturave kritike në rast të një krize të madhe ushtarake.













