Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka kryer të dielën një sulm të ri ndaj dy anijeve të dyshuara për trafik droge, njoftoi ministri i Mbrojtjes Pete Hegseth. Në sulm u vranë gjashtë persona.
“Ushtria ndërmori dy sulme vdekjeprurëse ndaj dy mjeteve lundruese të drejtuara nga organizata të shpallura terroriste,”
shkroi Hegseth në platformën X, pa zbuluar se me cilat organizata ishin të lidhura këto anije.
Ai shtoi se shërbimet e inteligjencës kanë zbuluar se anijet ishin të lidhura me kontrabandën ilegale të narkotikëve.
Sipas raportimeve, ushtria amerikane ka vrarë 76 persona në 19 sulme, gjatë të cilave janë shkatërruar 20 anije, në kuadër të një fushate që Uashingtoni e justifikon si përpjekje për të kufizuar fluksin e drogës drejt Shteteve të Bashkuara.
Nga këto sulme kanë mbijetuar tre persona – dy prej tyre janë ndaluar përkohësisht nga marina amerikane përpara se të ktheheshin në vendet e tyre, ndërsa për të tretin dyshohet se ka humbur jetën pas kërkimeve të ndërmarra nga marina meksikane.
Administrata e Trumpit nuk ka ofruar asnjë provë publike që vërteton praninë e drogës në anijet e sulmuara apo lidhjen e tyre me kartelët e narkotikëve.
Zyrtarët ushtarakë konfirmuan se asnjë pjesëtar i forcave amerikane nuk është plagosur gjatë operacioneve.
















