Kiril Budanov, kreu i Shërbimit të Inteligjencës Mbrojtëse të Ukrainës, ka paralajmëruar se Ukraina mund të përballet me një zhvillim të rrezikshëm të ngjarjeve nëse deri në verë nuk fillojnë bisedime serioze për përfundimin e luftës.
Budanov e ka thënë këtë gjatë një takimi të mbyllur me drejtuesit e fraksioneve parlamentare dhe përfaqësuesit e komandës ushtarake, siç përmendet në një artikull të Ukrainska Pravda me titullin: “Trump, lufta, zgjedhjet: Çfarë do të formësojë sezonin e ri në politikën ukrainase.”
Burimet e Ukrainska Pravda raportojnë se kohët e fundit është mbajtur një takim i mbyllur në Radën e Lartë të Ukrainës (Parlamentin) me drejtuesit parlamentarë, krerët e fraksioneve partiake dhe zyrtarë të komandës së forcave mbrojtëse. Deputetët kërkuan një përditësim mbi gjendjen aktuale të luftës.
Një nga pjesëmarrësit, në mënyrë anonime, ndau mendimet e tij me një gazetar të Ukrainska Pravda.
“Fillimisht, përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm folën gjerë e gjatë, mjaft kompleks, por shumë të mprehtë në analizën e tyre. Më pas vijuan raportet e tjera. Por ajo që bëri më shumë përshtypje ishte përgjigja e Budanovit. Dikush e pyeti atë se sa kohë na kishte mbetur. Kirili, me një buzëqeshje të qetë, u përgjigj: ‘Nëse deri në verë nuk do të ketë bisedime serioze, mund të ndodhin procese të rrezikshme që do të kërcënojnë mbijetesën e Ukrainës.’ Të gjithë shkëmbyen shikime të sikletshme dhe heshtën. Duket se gjithçka varet nëse gjërat do të shkojnë siç duhet,” tha burimi.