UBT do të marrë pjesë në Konferencën e 31-të të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31), përmes përfaqësimit të rektorit, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili do të jetë folës në një panel ndërkombëtar të nivelit të lartë.
Rektori Hajrizi do të marrë pjesë në panelin me temë “From Universities to a Global Climate Alliance: Shared Vision and Action for Green Transition” (Nga universitetet drejt një aleance globale për klimën: Vizion dhe veprim i përbashkët për tranzicionin e gjelbër).
Paneli do të moderohet nga rektori i Universitetit Çanakkale Onsekiz Mart në Turqi, Prof. Dr. R. Cüneyt Erenoğlu.
Në kuadër të këtij diskutimi ndërkombëtar, Hajrizi do të prezantojë temën “From Smart Campuses to Climate-Resilient Cities: The 5S Approach to University Living Labs” (Nga kampuset inteligjente te qytetet rezistente ndaj ndryshimeve klimatike: Qasja 5S për laboratorët universitarë të jetës reale).
Prezantimi i tij do të fokusohet në modelin UBT Smart City, duke trajtuar integrimin e arsimit, kërkimit shkencor, teknologjive të avancuara dhe veprimit klimatik në zhvillimin e kampuseve inteligjente dhe të qëndrueshme.
Pjesëmarrja e UBT-së në këtë panel synon të prezantojë qasjet dhe përvojat e institucionit në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm, inovacionit dhe përdorimit të teknologjisë për përballimin e sfidave që lidhen me ndryshimet klimatike.
