U raportua se ish-zyrtari i MPB-së u arrestua me 18 kg drogë në Serbi, MPJ: S’e kemi ende të konfirmuar zyrtarisht, i kemi dërguar shkresë Serbisë

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kanë thënë se nuk Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht arrestimie e Drilon Berbatit, ish-zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë, për të cilin u raportua se është kapur me 18 kilogramë marihuanë.

Në përgjigjen dhënë për Gazetën Online Reporteri.net, MPJD thotë se Zyra ndërlidhëse ashtu si në rastet e mëparshme, edhe kësaj radhe ka dërguar shkresë në Qeverinë e Serbisë për të konfirmuar një gjë të tillë, e për të marrë sqarime shtesë.

“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi nuk është informuar dhe as nuk ka arritur ende të konfirmojë zyrtarisht arrestimin sipas raportimeve, të cilave i referoheni.

Si edhe në rastet e mëhershme, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd nëpërmjet Ambasadorit Jashari i ka dërguar shkresë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë përmes së cilës ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë që ta konfirmojë arrestimin eventual, të ofrojë sqarime për arsyet e arrestimit dhe të bëjë të ditur vendin (qendrën e paraburgimit), ku është duke u mbajtur shtetasi i Republikës së Kosovës.

MPJD do t’ju mbajë të informuar nëse pranon informata të reja dhe që mund të jenë me interes për mediat dhe publikun”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për Reporteri.net.

Mediat në Serbi kanë raportuar se Drilon Berbati, ish-zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë është kapur me 18 kilogramë drogë dy ditë më parë.

Për arrestimin e tij ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, teksa ka publikuar edhe pamje të marihuanës që pretendohet se ishte e fshehur në veturën me të cilën po voziste kosovari.

Në njoftimin zyrtar të MPB’së serbe thuhet se të dyshuarit i janë konfiskuar gjithsej 32 pako me marihuanë apo gati 18 kilogramë.

I arrestuar për drogë në Serbi, me 19 korrik 2023 ishte arrestuar edhe nga Policia e Kosovës nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumentit zyrtar në periudhën sa ishte në pozitën e “zyrtarit të Agjencisë për Regjistrim Civil në Ministrinë e Punëve të Brendshme”./

Kategoritë
LajmeVendi