Të dielën qyteti i Gjilanit u trondit nga një krim i trefishtë, ku i plagosur mbeti edhe një person dhe një tjetër u lëndua nga mjetet e forta.
I plagosuri Bujar Hoxha i cili fillimisht mori trajtim në Spitalin e Gjilanit, aktualisht po vazhdon trajtimin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
41-vjeçari është duke u trajtuar në repartin e Kirurgjisë Abdominale.
Në një prononcim për Telegrafin, drejtori i Kirurgjisë Abdominale, Enver Fekaj, konfirmoi se gjendja e pacientit është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë, pas një ndërhyrje kirurgjike që pati.

“Pacienti ka pasur lëndime të lehta në kokë dhe disa gërvishtje në duar që nuk kanë kërkuar ndërhyrje. Por lëndimet në abdomen kanë qenë më serioze dhe ka pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjike. Tani është në gjendje stabile, është i vetëdijshëm dhe nën përcjellje të vazhdueshme. Besojmë se do të kalojë pa ndonjë komplikim”, deklaroi Fekaj për Telegrafin.
Krimi i trefishtë në Gjilan vazhdon të jetë një ndër ngjarjet më të rënda që ka goditur Kosovën së fundmi, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë ende në zhvillim.
Mefail Shkodra së bashku me dy djemt Edonis dhe Engjull Shkodra janë të dyshuarit kryesor për këtë rast.
Të njëjtit ndodhen në arrati, dhe policia tashmë i ka shpallur në kërkim.
Gjykata e Gjilanit sqaroi opinionin publik duke bërë të ditur se Mefail Shkodra nuk ka asnjë lëndë aktive në këtë gjykatë dhe se i njëjti ka pasur më herët tre lënëdë penale të cilat kanë përfunduar me aktgjykim dënues.
Gjykata gjithashtu njoftoi se as Edonis e Engjull Shkodra nuk figurojnë në regjistrin e evidencës penale për ndonjë vepër të gjykuar me vendim të formës së prerë, apo për ndonjë rast të papërfunduar. /Telegrafi/