Turqia raporton 13.695 raste të reja me COVID-19, vetëm 1.508 raste simptomatike

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, të paktën 197 persona të tjerë humbën jetën nga koronavirusi, duke e çuar në 21.685 numrin e përgjithshëm të viktimave nga virusi

Turqia ka raportuar 13.695 raste të tjera të koronavirusit të ri (COVID-19), përfshirë 1.508 pacientë simptomatikë, me çka numri i përgjithshëm i të infektuarve me këtë virus në vend ka tejkaluar shifrën 2.26 milionë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, të paktën 197 persona të tjerë humbën jetën nga koronavirusi, duke e çuar në 21.685 numrin e përgjithshëm të viktimave nga virusi.

Po ashtu të dhënat tregojnë për 9.896 pacientë të tjerë të shëruar nga virusi, me çka numri i përgjithshëm i pacientëve të shëruar ka tejkaluar shifrën 2.16 milionë.

Që nga shpërthimi i pandemisë, autoritetet shëndetësore kanë kryer mbi 25 milionë teste të dyshuara për COVID-19, përfshirë 181.323 teste të kryera brenda ditës së fundit.

Numri i pacientëve të prekur nga COVID-19 në gjendje kritike aktualisht është 3.522.

Në llogarinë e tij në twitter, ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, ka njoftuar se numri i pacientëve në gjendje kritike vazhdon të shënojë rënie.

“Ne patjetër të arrijmë fitore përmes kufizimeve dhe masave të vazhdueshme. Do të jemi të fuqishëm nëse veprojmë së bashku”, shkroi ministri Koca.

Turqia ka zbatuar një shtetrrethim gjatë orëve të natës, ndërsa nga 5 dhjetori ka zbatuar një shtetrrethim të plotë gjatë fundjavave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Kategoritë
BotaLajme