Trump sulmon Norvegjinë pasi sërish nuk fitoi Nobelin: “Kjo është një njollë e pashlyeshme për këtë shtet”

Trump sulmon Norvegjinë pasi sërish nuk fitoi Nobelin: “Kjo është një njollë e pashlyeshme për këtë shtet”

Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur edhe një herë pakënaqësinë që nuk e fitoi Çmimin Nobel për Paqe, duke e cilësuar vendimin e këtij viti si të turpshëm dhe poshtërues.

Çmimi iu dha të premten ish-gjyqtares së Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Navi Pillay. Disa orë pas shpalljes, Donald Trump deklaroi në një tubim se nuk kishte dëgjuar kurrë për këtë “person misterioz”.

“Kjo është një njollë e pashlyeshme për shtetin e Norvegjisë”, tha ai, duke shtuar se nuk do ta harrojë këtë.

Trump ka folur edhe më herët hapur për dëshirën e tij për ta fituar këtë çmim. Kritika të ngjashme shprehu edhe në vitin 2025, kur çmimi iu dha udhëheqëses së opozitës venezuelase, María Corina Machado. Vitin e kaluar, kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre i shpjegoi Trumpit se për fituesin vendos një komitet i pavarur me seli në Norvegji dhe jo qeveria norvegjeze.

Duke iu drejtuar mbështetësve në një tubim në Syracuse, në shtetin e Nju-Jorkut, presidenti amerikan përsëriti pretendimet se kishte përfunduar tetë luftëra dhe se ishte në rrugë për të përfunduar ose fituar edhe dy të tjera, pa paraqitur prova për këto pretendime.

“Çmimi Nobel për Paqe është diskredituar përgjithmonë nga një grusht ideologësh radikalë që janë kundër demokracisë dhe që, në të vërtetë, janë armiq të qytetërimit”, deklaroi ai.

Pillay, ish-shefja e OKB-së për të drejtat e njeriut dhe gjyqtare e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, u nderua për përpjekjet e saj në promovimin e paqes dhe të së drejtës ndërkombëtare, të cilat hapën rrugën për një rend juridik global më gjithëpërfshirës. Puna e saj ishte kyçe për të siguruar ndjekjen penale të krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit.

“Nëse duartrokitni edhe pak, ndoshta do ta ndaj këtë çmim me Trumpin”, tha ajo me shaka.

Vitin e kaluar, Trump shprehu hapur pakënaqësinë që nuk e fitoi çmimin, ndërsa Shtëpia e Bardhë e akuzoi komitetin se e kishte vendosur politikën mbi paqen. Në janar, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, Machado ia dhuroi medaljen e saj Trumpit, duke thënë se këtë e bëri në shenjë vlerësimi për përkushtimin e tij ndaj lirisë së vendit të saj.

Trump shkroi në rrjetet sociale se ky ishte një gjest i bukur i respektit të ndërsjellë, ndërsa Komiteti i Nobelit sqaroi më pas se çmimi nuk mund t’i transferohet një personi tjetër.

Kategoritë
BotaLajme