Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se planifikon të përfshihet në procesin gjyqësor për korrupsion kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke thënë se “dëshiron t’i japë pak ndihmë”.
Në një intervistë për CBS, Trump tha se ndaj Netanyahut po zhvillohet një proces “i padrejtë” dhe se do të ndërhyjë për të “balancuar situatën”.
“Nuk po sillen mirë me të. Ai është në gjyq për disa gjëra, por unë nuk mendoj se po i trajtohet drejt. Ne do të përfshihemi për t’i ndihmuar pak, sepse mendoj se kjo është shumë e padrejtë,” – tha Trump.
Trump: “Cigarja dhe shampanja – kë kujt i intereson?”
Ky është hera e parë që Trump shpall publikisht se do të marrë pjesë në mënyrë aktive në çështjen gjyqësore të Netanyahut. Ai më herët e kishte quajtur procesin “gjueti shtrigash” dhe kishte kërkuar që gjykimi të ndalej.
Gjatë fjalimit të tij në parlamentin izraelit muajin e kaluar, Trump kishte devijuar nga teksti zyrtar dhe i kishte bërë thirrje presidentit Isaac Herzog të falte Netanyahun, i cili është nën hetim për tre akuza për korrupsion.
“Cigare dhe shampanjë — kujt, dreqin, i intereson për to?” – ishte shprehur ai, duke iu referuar dhuratave të dyshuara që Netanyahu kishte marrë nga biznesmenë të pasur.
Më pas, Trump u tha gazetarëve se ishte vetë Netanyahu që i kishte kërkuar të përmendte këtë çështje në fjalimin e tij. Në postimet e tij në platformën Truth Social gjatë muajit qershor, Trump gjithashtu kishte kërkuar pezullimin e gjyqit ndaj kryeministrit izraelit.
Gjyqi i gjatë për korrupsion
Netanyahu akuzohet për ryshfet, mashtrim dhe abuzim me besimin publik në tre raste të ndara. Ai dyshohet se ka marrë mbi 200 mijë dollarë dhurata, përfshirë puro dhe shampanjë të shtrenjtë, nga biznesmenë të pasur dhe se ka ofruar lehtësira rregullatore me vlerë qindra milionë dollarë një magnati të telekomit në këmbim të raportimeve të favorshme në media.
Procesi gjyqësor po zgjat prej katër vitesh, për shkak të përdorimit të shpeshtë të taktikave ligjore nga Netanyahu për të shtyrë procedurat. Ish-shefi i agjencisë izraelite të sigurisë së brendshme e ka akuzuar atë se po përdor pushtetin ekzekutiv për të ndaluar hetimin.
Deklarata e Trumpit për përfshirje në këtë rast është pritur me shqetësim nga analistët ndërkombëtarë, të cilët e konsiderojnë një ndërhyrje të paprecedentë të një presidenti amerikan në sistemin gjyqësor të një shteti aleat.













