Trump kthen në ligj draftin e shpenzimeve, rifillojnë operacionet qeveritare

Donald Trump ka nënshkruar draftin e shpenzimeve për të rihapur qeverinë dhe për t’i dhënë fund bllokadës më të gjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Presidenti amerikan firmosi kthimin në ligj të buxhetit afatshkurtër vetëm pak orë pasi Dhoma e Përfaqësuesve kishte votuar 222 me 209 vota pro aprovimit të tij natën e së mërkurës dhe dy ditë pasi Senati aprovoi me një diferencë të ngushtë të njëjtën paketë.

Nga Dhoma Ovale, Trump tha se qeveria tani do të rifillojë normalisht operacionet, pasi, siç theksoi ai, njerëzit mbetën të lënduar nga bllokada 43-ditore.

Shumë shërbime qeveritare ishin pezulluar që prej tetorit dhe rreth 1.4 milion punonjës federalë kishin kaluar në asistencë ose po punonin pa pagesë. Gjithashtu, ndihmat ushqimore ishin pezulluar dhe transporti ajror ishte çoroditur në mbarë Shtetet e Bashkuara.

Tani, shërbimet qeveritare pritet të rifillojnë në ditët e ardhshme, ndërsa problematikat e lidhura me trafikun ajror të zgjidhen përpara ditës së Falënderimit.

Administrata Federale e Aviacionit ka reduktuar trafikun ajror për shkak të mungesës së personelit që erdhi si pasojë e bllokadës.

Përpara se ta nënshkruante për ta kthyer në ligj, Trump përsëri ia hodhi fajin partisë demokratike. “Ata e bënë për qëllime të pastra politike. Në një kohë kur zgjedhjet e mesmandatit po afrojnë, mos e harroni se çfarë i bënë ata vendit”, tha Trump, duke bërë thirrje që bllokada të mos përsëritet më.

Kategoritë
BotaLajme