Donald Trump ka kërcënuar të padisë BBC-në për 1 miliard dollarë për redaktimin e fjalimit të tij të 6 janarit 2021, sipas një letre të botuar nga disa faqe interneti lajmesh.
Avokatët e presidentit të SHBA-së i dhanë BBC-së një afat prej orës 5 pasdite, për të “tërhequr menjëherë deklaratat e rreme, shpifëse, përçmuese dhe nxitëse” në lidhje me Trump, sipas letrës së avokatëve të Trump të raportuar nga Financial Times, New York Times dhe NBC News.
Nëse BBC nuk i përmbahet, letra thotë: “Presidenti Trump nuk do të mbetet pa alternativë tjetër përveçse të zbatojë të drejtat e tij ligjore dhe të barabarta, të cilat janë të rezervuara shprehimisht dhe nuk hiqen dorë prej tyre, duke përfshirë ngritjen e padisë për jo më pak se 1,000,000,000 dollarë (Një miliard dollarë) dëmshpërblim. BBC është në njoftim”.
Një zëdhënës i BBC-së i tha NBC News: “Ne do ta shqyrtojmë letrën dhe do t’u përgjigjemi drejtpërdrejt në kohën e duhur”, transmeton Telegrafi.
Javën e kaluar u zbulua se një dokumentar i Panorama-s i transmetuar nga BBC para zgjedhjeve të vitit 2024, kishte modifikuar në mënyrë mashtruese dy pjesë të fjalimit të tij që ishin gati një orë larg dhe kishte dhënë përshtypjen se Trump i kishte inkurajuar mbështetësit e tij të sulmonin Kapitolin e SHBA-së.
Drejtori i Përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie, dhe CEO e News, Deborah Turness, dhanë dorëheqjen të dielën pas rrjedhjes së një memoje që kritikonte programin.
Kryetari i BBC-së, Samir Shah, tha në një deklaratë për Komitetin e Kulturës, Medias dhe Sportit të parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar se vendimi për redaktim ishte një “gabim gjykimi” dhe kërkoi falje.
Kërcënimi i presidentit amerikan Donald Trump për veprime ligjore kundër BBC-së, vjen mes tensioneve të gjata midis administratës së tij dhe mediave kryesore.
Trump ka akuzuar vazhdimisht organizatat e lajmeve për paragjykime dhe mbulim mashtrues, dhe paditë e tij të fundit kundër mediave amerikane janë bërë një gur themeli i strategjisë së tij për të minuar besimin e publikut në raportimin kryesor.
Debati mbi BBC-në i jep municion të ri ankesave të Trump, ndërsa ushtron presion të ri mbi standardet ndërkombëtare të medias.
Shah zbuloi se BBC kishte marrë më shumë se 500 ankesa që kur një memo që zbulonte çështjen e redaktimit u rrjedh. Memorandumi u shkrua nga ish-këshilltari i BBC-së, Michael Prescott.
Prescott tha në memon e tij, të zbuluar për herë të parë nga The Daily Telegraph, “se dokumentari Trump: Një shans i dytë? nuk ishte “as i balancuar dhe as i paanshëm”.
















