Presidenti amerikan Donald Trump telefonoi pa paralajmërim ministrin norvegjez të Financave, Jens Stoltenberg, muajin e kaluar për të diskutuar tarifat tregtare, si dhe kandidaturën e Trump për Çmimin Nobel për Paqen, shkruan Politico.
Lajmi u raportua për herë të parë nga gazeta norvegjeze Dagens Næringsliv të enjten dhe më vonë u konfirmua për Politico nga një zyrtar qeveritar në Oslo. Dagens Næringsliv vuri në dukje se kjo nuk ishte hera e parë që Trump e kishte përmendur çmimin në bisedimet me Stoltenberg.
“Nuk do të hyj në detajet e bisedës. Është e vërtetë që Presidenti Trump më telefonoi disa ditë para bisedës me Kryeministrin Støre. Disa anëtarë të stafit të presidentit morën pjesë gjithashtu në bisedë, përfshirë Sekretarin e Thesarit, Bessent dhe Përfaqësuesin e Tregtisë, Greer”, tha Stoltenberg, ish-sekretar i përgjithshëm i NATO-s, në një deklaratë për Politico.
“Diskutuam për doganat dhe bashkëpunimin ekonomik, dhe ajo bisedë shërbeu si përgatitje për thirrjen e tij me Kryeministrin Støre. Nuk do të hyj në detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e bisedës”, shtoi ai.
Takimi me Putinin mund të jetë vendimtar
Takimi i Trump me presidentin rus Vladimir Putin në Alaska mund të jetë një provë kyçe për kandidaturën e tij për Çmimin Nobel për Paqen, pasi çdo përparim – ose hap i gabuar – në konfliktin në Ukrainë ka të ngjarë të ndikojë në imazhin e kredencialeve të tij paqeruajtëse.
Edhe pse ai është lëkundur se kush e mban fajin për pushtimin e Ukrainës nga Rusia, duket se e ka ashpërsuar qëndrimin e tij ndaj Putinit në muajt e fundit.
Çdo vit, Komiteti Norvegjez i Çmimit Nobel zgjedh laureatët nga qindra nominime. Pesë anëtarët e komitetit emërohen nga Parlamenti Norvegjez me udhëzimet e industrialistit suedez të shekullit të 19-të, Alfred Nobel. Laureatët shpallen në Oslo çdo tetor.
Disa vende e nominuan Trumpin
Disa vende, përfshirë Izraelin, Pakistanin dhe Kamboxhian , e kanë nominuar tashmë Trumpin për ndërmjetësimin e marrëveshjeve të paqes ose armëpushimeve që kur ai u rikthye në detyrë në janar.
Trump ka marrë meritat për qetësimin e tensioneve midis fuqive bërthamore Indisë dhe Pakistanit pas një përplasjeje në fillim të këtij viti, dhe javën e kaluar priti udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit në Uashington për të diskutuar përfundimin e armiqësisë dekada të tëra.
Nëse fiton, manjati i pasurive të paluajtshme i shndërruar në politikan do të jetë presidenti i pestë i Shteteve të Bashkuara që merr këtë çmim, pas Theodore Roosevelt, Woodrow Wilson, Jimmy Carter dhe rivalit të tij të hershëm Barack Obama.
“Ata kurrë nuk do të më japin Çmimin Nobel për Paqen”, u ankua Trump në shkurt gjatë një takimi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Zyrën Ovale. “Është shumë keq. E meritoj, por ata kurrë nuk do të ma japin”, tha ai.
Në një konferencë për shtyp më 31 korrik, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolina Leavitt, tha se kishte ardhur koha që Trump ta fitonte çmimin. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj kërkesës së Politico-s për koment. /Reporteri.net/