Trump: Do ta ftoj Zelenskyn sërish në Shtëpinë e Bardhë, së shpejti takim me Rusët

Presidenti amerikan Donald Trump komentoi vendimin e Ukrainës për të pranuar propozimin për armëpushimin 30-ditor, duke konfirmuar se do ta ftojë presidentin ukrainas Volodimir Zelensky sërish në Shtëpinë e Bardhë.

“Duam t’i japim fund luftës në Ukrainë,” tha Trump. Ai gjithashtu njoftoi se një delegacion amerikan do të takohet me përfaqësuesit rusë sot ose nesër, si pjesë e përpjekjeve të mëtejshme për arritjen e një marrëveshjeje.

Takimi i fundit në Shtëpinë e Bardhë përfundoi me një përplasje

Takimi i fundit midis presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodimir Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, i mbajtur më 28 shkurt, përfundoi papritur pas një debati të ashpër.

Fillimisht i planifikuar për të nënshkruar një marrëveshje mbi mineralet e rralla, takimi u shndërrua në një konflikt verbal kur Trump e akuzoi Zelenskyn se po “luante kumar me Luftën e Tretë Botërore” për shkak të refuzimit të tij për të bërë kompromis me Rusinë.

Pas incidentit, Trump ndërpreu takimin dhe anuloi konferencën e planifikuar për shtyp, ndërsa Zelensky u largua nga Shtëpia e Bardhë pa arritur ndonjë marrëveshje.

Kategoritë
BotaLajme