Në një intervistë të gjerë për emisionin “60 Minutes” të CBS-it, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se beson që Arabia Saudite do të vendosë së shpejti marrëdhënie diplomatike me Izraelin pa kërkuar si kusht krijimin e një shteti palestinez.
Deklaratat e Trumpit vijnë pak para vizitës së princit të kurorës Mohammed bin Salman në Washington më 18 nëntor – e para që nga viti 2018.
I pyetur nëse i beson pretendimeve saudite se nuk do t’i bashkohen Marrëveshjeve të Abrahamit pa një zgjidhje për shtetin palestinez, Trump u përgjigj:
“Jo, mendoj se do të bashkohen. Mendoj se do të kemi një zgjidhje.”
Ai shtoi se nuk është i sigurt nëse kjo do të jetë një zgjidhje me dy shtete, pasi “kjo varet nga Izraeli”, por theksoi se prioriteti i tij është “të ndalet Irani bërthamor”.
Trump gjithashtu pretendoi se gjatë mandatit të tij kishte “shkatërruar” objektet bërthamore iraniane – një deklaratë që Teherani e ka mohuar kategorikisht.
Duke folur për situatën në Gaza, Trump tha se armëpushimi i ndërmjetësuar nga administrata e tij ishte “shumë i fortë”, megjithëse raportet ndërkombëtare tregojnë se Izraeli e ka shkelur marrëveshjen mbi 250 herë që nga 10 tetori.
Kur u pyet se si do ta detyronte Hamasin të çarmatosej, ai u përgjigj:
“Nëse dua të çarmatosen, ata do të çarmatosen shumë shpejt. Ata e dinë këtë.”
Trump po ashtu zbuloi se kishte ushtruar presion mbi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu që të pranonte armëpushimin dhe t’i kërkonte falje Katarit pas bombardimeve të Dohas.
Ai shtoi se do të përfshihet personalisht në procesin gjyqësor të Netanyahut për korrupsion, duke e quajtur “shumë të padrejtë” – një veprim që mund të shkaktojë polemika për ndërhyrje në drejtësinë e një shteti tjetër.
Në fund të intervistës, Trump komentoi edhe zgjedhjet për kryebashkiak të New Yorkut, ku kandidati socialist-demokrat Zohran Mamdani kryeson në sondazhe. Trump e quajti “komunist” dhe paralajmëroi se nëse Mamdani fiton, mund të rishikojë financimin federal për qytetin.













