Tërhiqen avokatët e Thaçit, shkak mospagesa

Gregory Kehoe, Joe Reeder, “Greenberg Legal Associates” dhe anëtarët e kësaj kompanie, kanë kërkuar të tërhiqen nga mbrojtja e Hashim Thaçit në rastin e tij në Gjykatën Speciale.

Si shkak në kërkesë është përmendur moskryerja e obligimeve ndaj tyre.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

“Z.Thaçi nuk ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, Asociacionit Greenbuerg Legal dhe anëtarëve të ekipit mbështetës dhe z.Thaçit i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm se do të kërkonin përfundimin nëse nuk u është përmbushur detyrimi”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Po ashtu në njoftim është përfshirë kërkesa zyrtare e mbrojtjes së Thaçit, derisa thuhet se sipas rregullores, kur të caktohet grupi tjetër i mbrojtjes, avokatët paraprak duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë “në një periudhë prej jo më shumë se 45 ditë”.

Më 29 janar, ministria e Drejtësisë përmes një Udhëzimi Administrativ, ka thënë se po synon që të ndryshojë tarfiat e mbrojtjes juridike për të akuzuarit në Hagë.

Në to parashihet rritje e vlerave, por që për avokatët nuk është aq sa duhet, shkak i inflacionit.

Hashim Thaçi, ndodhet në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.

Gjykimi ndaj tyre ka filluar në prill të këtij viti dhe ZPS-ja ka paralajmëruar mbi 300 dëshmitarë në këtë proces gjyqësor.

Prokuroria i akuzon ish-krerët e UÇK-së për vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë ndërsa të gjithë i kanë mohuar akuzat.

Gjykata në Hagë u krijua pas një raporti të Këshillit të Evropës të vitit 2011, i cili përmbante akuza për trafikim organesh.

Themelimi i këtij institucioni u bë më pas nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015, ndërsa aktakuzat e para u konfirmuan në pjesën e dytë të vitit 2020.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi