Policia izraelite ka njoftuar se ka arrestuar dy të dyshuar në të ashtuquajturin skandal “Qatargate”.
Sipas raporteve të mediave në gjuhën hebraike, bëhet fjalë për Yonatan Urich dhe Eli Feldstein, bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Në një deklaratë shumë të shkurtër për media, policia ka bërë të ditur se dy të dyshuarit janë arrestuar më herët gjatë ditës në kuadër të një hetimi për lidhje të dyshimta dhe të paligjshme mes bashkëpunëtorëve të lartë të Netanyahut dhe Katarit.
Hetimin po e udhëheq njësia kombëtare për luftimin e krimit Lahav 433, në bashkëpunim me shërbimin izraelit të sigurisë Shin Bet.
Nuk ka informacione shtesë për publikimin e rastit për shkak të një ndalese gjyqësore për publikimin e detajeve të hetimit.
Hetimet janë nisur pas zbulimit se ish-zëdhënësi i Netanyahut, Feldstein – i cili është akuzuar për rrezikim të sigurisë kombëtare në një rast që përfshinte vjedhjen dhe rrjedhjen e dokumenteve konfidenciale të Ushtrisë së Mbrojtjes së Izraelit (IDF) – kishte punuar për Katarin përmes një kompanie ndërkombëtare të angazhuar nga Doha për të promovuar artikuj me përmbajtje pro-katare te gazetarët izraelitë, ndërkohë që ai ende ishte i punësuar në zyrën e kryeministrit.
Po ashtu, në nëntor të vitit të kaluar ishte publikuar se bashkëpunëtorët e lartë të Netanyahut, Urich dhe Yisrael Einhorn, kishin kryer punë të marrëdhënieve me publikun për Katarin në prag të Kampionatit Botëror 2022.