Ismail Tasholli nga “Liria ka Emër”, ka folur sot para protestuesve në sheshin “Skenderbeu” në kryeqytet.
Ai ka thënë se sot janë mbledhur për UÇK-në, për të dënuarit nga Gjykata Speciale në Hagë.
“Jemi bërë bashk për të quar një mesazh shumë të rëndësishëm. Nuk jemi bërë bashk për shkak të partive politike, për shkak mitingjeve të caktuara,por sot jemi bërë bashkë për ju. Sepse, varri i dëshmorit dhe liria nuk kanë parti politike. Sot jemi në sheshin që e din peshën dhe zërin e çlirimtarëve të Kosovës, që në 68-tën nxiti çlirimtarët në këmbë për Republikë dhe shkolla shqipe. Është po ky shesh që në 81-tën poashtu ngriti në këmbë të reja e të rinj për të thënë atë që e besojnë dhe për ta artikuluar atë që e synojnë. Është ky shesh që na ka bërë bashkë edhe në vitet e 90-ta dhe sot poashtu si në të gjitha kohërat, si në 1 nëntorin e 97-tës, simbolikën e rinisë edhe sot është i gatshëm të flas për atë që nuk pajtohet dhe të sakrifikoj gjithçka në atë që synohet. Sot jemi në sheshin e Kosovës. Kosova, shqiptarët kudo që janë e kanë një adresë sot dhe një mesazh “Jo në emrin tonë””, ka thënë Tasholli.
Ai ka thënë se nëse UÇK sulmohet në mënyrën si sot servohet drejtësia , ka arsye të mëdha që të kërkojmë drejtësi të barabartë, ato vlera që BE-ja civilizimi perëndimor na ka mësuar gjatë gjithë kohës.
“Sot Kosova e priti Presidenten e Komisionit Evropian, i themi që ne besojmë në ato vlera të Evropës, në themelet e civilizimit perëndimor por nuk besojmë në dystandardësi kur na flitet për drejtësi. I themi “jo në emrin tonë”. Për sot s’dua të flas për BE-në por për Kosovën. Për atë se ku jem dhe çka duam që të mbrojmë luftën tonë për paqe, që ishte më e pastra që mbahet mend.”, ka thënë Tasholli.
Ai ka thënë se brezat kanë zë dhe përgjegjësi, ndërsa ka ndarë një rrëfim nga bashkëluftëtarët e Adem Jasharit.
“Kur e kanë pyetur që e ki të zorshme me e fitu luftën, një përgjigje e ka pas “nasht, dua të lë varreza të dëshmorëve që gjeneratat që vinë ta shohin se dikush ka luftuar për liri. Këtë amanet të luftëtarit, këtë amanet të UÇK-së, brezat e rinj duhet ta ruajnë si identitet të tyre, si identitet të qëllimit tonë të shtetit tonë dhe të fuqisë sonë kur jemi bashkë dhe kur secili secilit ia zgjat dorën për krejt ato që duhet të bëjmë që ta ruajmë Republikën”, ka thënë ai.
Tasholli ka thënë se sot brezat e rinj në shesh të Prishtinës janë luftëtarë të drejtësisë.
“Sot jemi këtu të themi se nuk harrojmë, për të kujtuar sakrificën, mundin, gjakun që t’i themi njëherë e mirë secilit UÇK-ja na bashkon, UÇK-ja është kauza jonë me ndritshme e rrugëtimit dhe gjakimit tonë për liri. Edhe njëherë iu themi për fund “jo në emrin tonë, kurrë””, ka shtuar ai.

