Takimi historik ndërmjet Trumpit dhe Putinit, analistët nuk besojnë se Kosova do të jetë pjesë e bisedimeve

Sot, në shtetin amerikan të Alaskës, zhvillohet një takim i jashtëzakonshëm mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit rus Vladimir Putin, një përballje që mund të shënojë një moment kyç në përpjekjet globale për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Takimi pritet të mbahet në bazën ushtarake Elmendorf-Richardson, në një territor që konsiderohet simbolik dhe neutral, duke pasur parasysh pozicionin e tij gjeostrategjik mes Lindjes dhe Perëndimit.

Në qendër të diskutimeve është mundësia e arritjes së një marrëveshjeje për armëpushim, si dhe rrugët drejt një zgjidhjeje afatgjatë për konfliktin që ka tronditur Evropën dhe botën që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022.

Lidhur me mundësinë që në këtë takim të hapen edhe tema që lidhen me Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën, njohës të çështjeve evropiane shprehen skeptikë. Ata theksojnë se fokusi absolut i takimit do të mbetet tek Ukraina, për shkak të urgjencës së situatës dhe ndikimit të saj global, ndërsa çështjet rajonale si ajo e Kosovës nuk pritet të jenë pjesë e agjendës së bisedimeve.

Analisti Dritero Arifi për Telegrafin tha se SHBA synon të arrijë paqen në Ukrainë, prandaj nuk beson që do të ketë diskutime për Ballkanin Perëndimor.

“Ne po flasim për dy superfuqi që po takohen për çështje të ndaljes së politikave në zonat e influencës, dhe kjo varet prej shumë rrethanave se si do të rrjedh krejt takimi, dhe çka do të arrihet në takim.
Por edhe nëse në këtë takim jo, në takimet tjera do të arrihet një paqe e përkohshme, sepse SHBA do të synojë që të paktën ta merr paqen e përkohshme, që të paktën të sistemojë disa gjëra, në planin afatgjatë.
Tash a mund të ketë diçka aty për Ballkanin dhe Kosovën, tash aty për momentin, nuk e besoj, por gjithsesi mund të jetë pjesë e lojës së mëvonshme, riorganizimi, edhe pse realisht Ballkani është zonë e influencës amerikane, pavarësisht problemeve që janë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka pohuar Arifi.

Ai shtoi tutje se “Më vonë mund të jetë nëse do të ketë ndonjë riorganizim brenda Kombeve të Bashkuara, ndonjë lëvizje të ndryshme, atëherë mund të jenë lëvizje të paparashikueshme, por për momentin nuk besoj që Ballkani mund të jetë pjesë e diskutimit, pasi ka të bëjë më shumë me SHBA, Rusi dhe luftën në Ukrainë”.

Të njëjtin mendim e ndanë edhe njohësi tjetër i çështjeve politike, Afrim Hoti.

“Jo nuk mendoj që do të ketë diskutime për Ballkanin apo Kosovën, sepse në agjendën e Samitit është një temë shumë më e rëndësishme se kjo. Megjithatë, Samiti i sotëm bashkë me ndërmjetësimin e presidentit Donald Trump, para disa ditësh në konfliktin ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë, janë sinjale shumë të fuqishme për modelin që eventualisht mund të përdoret në Ballkan, në përgjithësi, e në rastin e Kosovës në veçanti. Tashmë besoj që ky lloj ndërmjetësimi po merr formë, dhe se autoritetet kosovare duhet të jenë mirë të pagatitura për skenarë të tilla të ngjashme”, nënvizoi ai për Telegrafin.

Si përfundim, Hoti vlerëson se nuk ka hapësirë për diskutime për Kosovën, pasi do të do të mbizotërojë çështja e armëpushimit dhe marrëveshjes paqësore Rusi –Ukrainë.

Ndryshe, lufta mes Ukrainës dhe Rusisë, e njohur gjerësisht si pushtimi rus i Ukrainës, filloi më 24 shkurt 2022 dhe është një nga konfliktet më të mëdha në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Qëllimi fillestar i Rusisë ishte rrëzimi i qeverisë ukrainase dhe marrja e Kievit brenda pak ditësh, por kjo dështoi për shkak të rezistencës së fortë ukrainase dhe gabimeve logjistike ruse.

Rusia është akuzuar për krime lufte, përfshirë masakrat në Bucha dhe deportimin e fëmijëve ukrainas në Rusi.

Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) lëshoi urdhër arresti për Vladimir Putin, për deportime ilegale të fëmijëve./Telegrafi/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi