Ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto, komentoi bisedimet e fundit për paqe lidhur me Ukrainën dhe tha se ende nuk mund të mendohet për dërgimin e trupave paqeruajtëse.
“Ekziston një rend shumë i qartë që duhet të respektohet. Së pari, le të arrijmë një marrëveshje – nuk shohim tjetër mundësi përveç një marrëveshjeje mes SHBA-së dhe Rusisë,” tha Szijjarto në përgjigje të pyetjes për mundësinë e dërgimit të “paqeruajtësve” nga vendet evropiane në Ukrainë pa pajtimin e Moskës.
Më 6 mars, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se Rusia nuk sheh asnjë mundësi për kompromis sa i përket vendosjes së forcave të huaja paqeruajtëse në Ukrainë.
Ai deklaroi se, në rast të vendosjes së një kontingjenti të huaj në Ukrainë, vendet perëndimore nuk do të jenë të gatshme të bisedojnë për kushtet e një zgjidhjeje paqësore.
Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë më herët kishte njoftuar se planet e disa vendeve të BE-së për të dërguar “paqeruajtës” në Ukrainë janë një hap provokues.