Sveçla urdhëron hetim për lëshimet e mundshme të policisë në rastin e Gjilanit

Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se çdo pjesëtar i Policisë së Kosovës do të mbajë përgjegjësi për lëshime të mundshme lidhur me rastin e vrasjes së trefishtë që ndodhi dje në Gjilan.

Ai bëri të ditur se ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës të hetojë çdo neglizhencë apo përfshirje të mundshme të ndonjë zyrtari policor në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës, i shpallur në kërkim për këtë ngjarje të rëndë.

“Askush nuk është i paprekshëm apo i pandëshkueshëm, veçanërisht brenda një institucioni që ka për mandat parandalimin, hetimin dhe luftimin e çdo veprimtarie ilegale në vendin tonë”, shkroi Sveçla në Facebook.

Ai theksoi se është i pakompromis në garantimin e integritetit profesional të shërbyesve publikë dhe kërkoi që edhe institucionet e tjera, veçanërisht drejtësia, të veprojnë me të njëjtën vendosmëri, në mënyrë që qytetarët të jetojnë në një Republikë ku sundojnë siguria, rendi dhe ligji./Telegrafi/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi