Studentët nga Gaza fituan bursa për universitetet në Belgjikë, por nuk mund të studiojnë: Shteti refuzon t’i ndihmojë

Një grup studentësh dhe studiuesish palestinezë ka të ngjarë të mos mund t’i shfrytëzojë bursat e fituara në universitetet belge këtë vjeshtë, për shkak të mosmarrëveshjeve brenda qeverisë së koalicionit të kryeministrit Bart De Wever lidhur me evakuimin e njerëzve nga Gaza.

Palestinezëve aktualisht nuk u lejohet të udhëtojnë lirshëm nga dhe drejt Gazës, e cila ndodhet nën pushtimin izraelit, megjithëse shtetet mund të kërkojnë evakuimin e studentëve dhe studiuesve. Vende si Italia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë krijuar mekanizma për t’i ndihmuar studentët palestinezë të shfrytëzojnë mundësitë e studimit jashtë vendit.

Megjithatë, ndonëse aplikantët për bursa në Gaza morën në qershor oferta për të filluar studimet këtë vjeshtë në disa prej universiteteve kryesore belge, përfshirë Institutin e Mjekësisë Tropikale, Universitetin Hasselt dhe Universitetin e Antwerp-it, evakuimet belge nga Gaza janë ndërprerë nën qeverinë e koalicionit të udhëhequr nga De Wever.

Rasti i këtyre studentëve tregon kufizimet e qëndrimit pro-palestinez të Belgjikës, një prej më të theksuarve në Evropë, veçanërisht kur ai bie ndesh me politikat kundër emigracionit të qeverisë së udhëhequr nga nacionalistët flamandë. Belgjika është zotuar ta njohë shtetin palestinez, ka vendosur sanksione ndaj vendbanimeve ilegale në Bregun Perëndimor dhe i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të veprojë njësoj.

“Evakuimet janë në kompetencën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, por është e vërtetë se aktualisht brenda qeverisë nuk ka konsensus për këtë çështje”, deklaroi zëdhënësi i ministres së Emigracionit, Anneleen Van Bossuyt, nga partia N-VA e De Weverit.

Zëvendësrektorja e Universitetit të Lirë të Brukselit, Anne Weyembergh, konsideron se Belgjika duhet të organizojë evakuimin e studentëve, nëse këtë janë në gjendje ta bëjnë vendet e tjera të BE-së.

“Disa parti të koalicionit janë jashtëzakonisht të rezervuara kur bëhet fjalë për migracionin. Këtë e ndiejmë shumë qartë në rastin e studentëve tanë ndërkombëtarë në përgjithësi, por edhe të kolegëve tanë të huaj, të cilët duhet të vijnë dhe të marrin viza për të marrë pjesë në konferenca dhe takime”, tha ajo në një intervistë.

Weyembergh është njëra prej dhjetë drejtuesve të universiteteve belge që në korrik nënshkruan një letër të akademikëve drejtuar De Weverit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Maxime Prévot, në të cilën qeverisë i bëhej thirrje të ndihmonte në organizimin e largimit të tyre të sigurt.

Rrethanat e jashtëzakonshme në të cilat studiuesit palestinezë kanë fituar vende studimi në Belgjikë, deri më tani nuk kanë sjellë asnjë ofertë ndihme nga qeveria.

Pengesat me të cilat përballen janë pjesërisht procedurale, por kryesisht politike. “Politico” bisedoi me katër përfitues të bursave, të cilëve u ishte thënë se vizat mund të merreshin vetëm duke u paraqitur personalisht në një përfaqësi diplomatike belge, siç është ajo në Jerusalem. Dy prej tyre arritën t’i siguronin vizat me ndihmën e avokatëve në Belgjikë, gjë që tregon se zgjidhjet mund të gjenden edhe brenda sistemit të ngurtë belg të emigracionit.

Por vetëm vizat nuk janë shumë të dobishme. Asnjë prej studentëve dhe studiuesve të cilëve u janë ofruar vende të financuara në Belgjikë, aktualisht nuk ka mundësi që të arrijë realisht atje.

Në një deklaratë me shkrim, Koordinatori izraelit i Aktiviteteve Qeveritare në Territore bëri të ditur se Izraeli e lehtëson dhe e inkurajon evakuimin e studentëve dhe studiuesve nga Gaza, me kërkesë të një shteti të tretë.

Megjithatë, një zëdhënës i Ministrisë belge të Punëve të Jashtme, e drejtuar nga Prévot i partisë së qendrës Les Engagés, deklaroi se brenda qeverisë së koalicionit aktualisht nuk ekziston ndonjë vendim për organizimin e evakuimeve të reja. Ministria njoftoi se po shqyrton në mënyrë aktive se çfarë mund të bëhet për t’i ndihmuar studentët, por çdo vendim për evakuime të reja do të ishte përgjegjësi e gjithë qeverisë.

Dy zyrtarë të qeverisë belge deklaruan se koalicioni është i ndarë pothuajse për çdo çështje që lidhet me Palestinën. Ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme e Prévotit po kërkon zgjidhje, besohet se Lëvizja Reformiste (MR), parti centriste frankofone, udhëheqësi i së cilës, Georges-Louis Bouchez, njihet për qëndrimet pro-izraelite, si dhe Aleanca e Re Flamande (N-VA) e De Weverit, janë kundër evakuimeve të reja.

Vendet e tjera evropiane vazhdojnë të pranojnë studentë nga Gaza. Italia krijoi në maj të vitit 2026 një korridor universitar për studentët palestinezë, duke u mundësuar më shumë se 70 studentëve të fillonin studimet në universitetet italiane, megjithëse dhjetëra prej tyre vazhdojnë të presin miratimin për t’u larguar nga Gaza.

Kategoritë
BotaLajme