Kandidati për kryetar të Komunës së Kllokotit, Sreqko Spasiq nga Nisma Qytetare “Uniteti Kombëtar Serb” i është bashkuar Listës Serbe, me kandidatin e të cilës ka shkuar në balotazh në këtë komunë.
Sipas një njoftimi nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – Spasiq së bashku me të gjithë anëtarët dhe këshilltarët e kësaj nisme iu bashkuan kësaj partie, duke shtuar se ata “besojnë pa rezerva në presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të kuptuar nëse në Kllokot do të mbahet rundi i balotazhit më 9 nëntor, pas vendimit të Spasiqit, dhe është në pritje të përgjigjes.











