Ursula von der Leyen: Bosnja e Hercegovina, Serbia dhe Kosova humbasin fondet nga Plani i Rritjes, paratë do t’u kalojnë tri vendeve të suksesshme

Ursula von der Leyen: Bosnja e Hercegovina, Serbia dhe Kosova humbasin fondet nga Plani i Rritjes, paratë do t’u kalojnë tri vendeve të suksesshme

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Komisioni planifikon të rialokojë një pjesë të konsiderueshme të fondeve nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor drejt tri vendeve që kanë shënuar përparimin më të madh në zbatimin e reformave.

Sipas Politico Europe, Mali i Zi dhe Shqipëria pritet të përfitojnë 15 për qind më shumë fonde, ndërsa Maqedonia e Veriut 10 për qind më shumë.

“Ne kemi interes të madh që fondet në dispozicion të vihen në funksion. Duhet ta shfrytëzojmë mundësinë që këto para janë në dispozicion, t’i investojmë dhe të arrijmë rezultate”, deklaroi von der Leyen pas samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.

Plani i Rritjes, me vlerë prej gjashtë miliardë eurosh, nga të cilat dy miliardë janë grante dhe katër miliardë kredi me kushte të favorshme, do të vazhdojë deri në vitin 2027.

Fondet disbursohen vetëm pasi vendet të zbatojnë reformat e dakorduara. Nëse reformat nuk realizohen as pas afatit shtesë, Komisioni Evropian mund t’ua rialokojë fondet vendeve të tjera. Afati shtesë për kërkesën e parë të pagesës përfundoi më 30 qershor.

Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kryesojnë në zbatimin e reformave

Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë vendet që deri më tani kanë shënuar përparimin më të madh në zbatimin e reformave.

Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, deri në muajin maj, Shqipëria kishte përfituar 212,8 milionë euro nga Plani i Rritjes, Maqedonia e Veriut 142,1 milionë euro, ndërsa Mali i Zi 89,3 milionë euro.

Sipas të dhënave të Komisionit Evropian nga muaji gusht, Bosnja e Hercegovina ishte i vetmi vend që nuk kishte përfituar as parafinancim.

Ndërkohë, Serbia nuk mori pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, për shkak se ende ndodhet në procesin e formimit të qeverisë së re.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi