Vuçiq pas arrestimit të Vuçiqeviqit: Do të tentojnë të më vrasin ose të më arrestojnë, Serbia drejtohet nga të huajt dhe Kroacia

Vuçiq pas arrestimit të Vuçiqeviqit: Do të tentojnë të më vrasin ose të më arrestojnë, Serbia drejtohet nga të huajt dhe Kroacia

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), Aleksandar Vuçiq, pas arrestimit të pronarit të Informerit, Dragan J. Vuçiqeviq, pretendoi se kundërshtarët e tij politikë do të përpiqen ta eliminojnë, ta vrasin ose ta arrestojnë edhe atë, ndërsa akuzoi Kroacinë për përfshirje në drejtimin e Serbisë.

Vuçiq i bëri këto deklarata gjatë një emisioni në Informer TV, i cili zgjati pothuajse dy orë.

“Do të synojnë eliminimin tim, vrasjen, arrestimin ose lustracionin, sido që ta shikoni”, tha Vuçiq, pa paraqitur prova për ekzistencën e ndonjë plani për vrasjen e tij.

Ai përsëriti gjithashtu paralajmërimin për hyrjen në grevë urie, duke deklaruar këtë herë se nuk do t’i lejojë mjekët ta ndihmojnë.

“Me shkrim do t’ua ndaloj mjekëve të më ofrojnë çfarëdo ndihme dhe do të jem plotësisht i vendosur”, tha ai.

“Para së gjithash nga Kroacia”

Vuçiq akuzoi Kroacinë për përfshirje në atë që ai e quajti “revolucion me ngjyra” në Serbi, duke pretenduar se sot vendi drejtohet nga një pjesë e aktorëve të huaj.

“Ju drejton një pjesë e atyre të huajve që realizuan revolucionin me ngjyra, para së gjithash nga Kroacia”, tha ai, pa paraqitur prova konkrete.

Vuçiq renditi gjithashtu pesë qendra të pushtetit, të cilat, sipas tij, sot drejtojnë Serbinë: aktorët e huaj, plenumet studentore, 140 deputetët e Listës Studentore, “klanin e Vraçarit”, si dhe prokurorinë dhe gjykatat.

“Këto janë pesë kanalet përmes të cilave ushtrohet i gjithë pushteti”, tha ai.

“Një terror i tillë në Serbi nuk ka ekzistuar as në vitin 1945”, shtoi Vuçiq.

“Nuk po e përndjekin për korrupsion”

Duke folur për arrestimin e Vuçiqeviqit, Vuçiq pretendoi se pronari i Informerit nuk po vihet në shënjestër për shkak të veprave penale, por për shkak të deklaratave të tij.

“Dragan J. Vuçiqeviqin nuk po e përndjekin për kriminalitet dhe as për korrupsion”, tha ai.

Vuçiq pret që prokuroria të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit për shkak të ndikimit të mundshëm te dëshmitarët dhe shqetësimit të opinionit publik, duke pretenduar se prokurorët do të sajojnë arsye për ta mbajtur Vuçiqeviqin prapa grilave.

Duke folur për familjen e Vuçiqeviqit, ai tha se për të do të ishte më e lehtë të ndodhej në vendin e tij, duke shtuar se gjashtë fëmijët e Vuçiqeviqit do ta kalojnë natën pa babanë e tyre.

“Idiotët”, RTS-ja dhe zhvatja

Vuçiq i kërkoi falje opinionit publik pasi i kishte quajtur “idiotë” deputetët që duartrokitën arrestimin, por theksoi se nuk e kishte ndryshuar mendimin për ta.

“I quajta idiotë dhe më pas thashë se vërtet mendoj kështu”, deklaroi ai.

Vuçiq akuzoi gjithashtu transmetuesin publik të Serbisë, RTS, se nuk i ofron hapësirë në transmetimet e drejtpërdrejta.

“Nuk guxojnë të më lejojnë as një minutë në transmetim të drejtpërdrejtë, sepse nuk e dinë se çfarë do të them gjatë asaj minute”, pretendoi ai.

Vuçiq foli edhe për një rast të zhvatjes, duke pretenduar se kriminelët i kishin kërkuar një restoranti 500 mijë euro, ndërsa pas raportimit të rastit në polici i kishin thënë pronarit: “Tani na ke borxh një milion euro, sepse na ke denoncuar në polici.”

As për këto pretendime Vuçiq nuk paraqiti prova.

Marrja në pyetje në Pallatin e Drejtësisë

Vuçiqeviq u arrestua të mërkurën në Beograd, me urdhër të Prokurorisë së Dytë Themelore Publike, nën dyshimin për shkaktim të panikut dhe trazirave në vazhdimësi, si dhe për pengim të drejtësisë.

Sipas Informerit, policia e ndaloi atë 50 metra larg ndërtesës së televizionit dhe e dërgoi në stacionin policor të Vozhdovcit.

Ndalimi mund të zgjasë deri në 48 orë, ndërsa marrja në pyetje nga prokurori është planifikuar për sot në orën 10:00, në Pallatin e Drejtësisë.

Në mesin e nëntorit, avokati Ivan S. Petroviq, në emër të 97 qytetarëve, kishte paraqitur një kallëzim penal kolektiv kundër Vuçiqeviqit për nxitje të urrejtjes dhe rrezikim të sigurisë. Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse arrestimi lidhet me këtë kallëzim penal.

Kategoritë
LajmeRajoni