Një 65-vjeçare nga qyteti i Prešovit në Sllovaki, Maria Poklembová, ka ndërruar jetë pas një operacioni të planifikuar në Institutin Lindor Sllovak për Sëmundjet e Zemrës dhe Enëve të Gjakut. Në momentin kur ajo ende ndodhej në tavolinën e operacionit, kirurgu kryesor mori pjesë në një konferencë shtypi të ministrit të informatizimit, Samuel Migal, kandidat i partisë Smer.
Operacioni u krye më 6 gusht nën drejtimin e kardio-kirurgut Adrian Kolesár, shef i klinikës për kirurgji kardiake. Sipas të dhënave, pacientja nuk u zgjua më pas ndërhyrjes dhe ndërroi jetë më 13 gusht.
Sipas gazetës rajonale Korzár, pikërisht në kohën kur Poklembová ndodhej ende në sallën e operacionit, përpara godinës së institutit u mbajt konferenca e ministrit Migal, i cili vetë kishte qenë pacient i këtij spitali pak kohë më parë.
“Gjatë operacionit kompleks ishte i pranishëm edhe shefi i klinikës, i cili më pas u shfaq në konferencën për shtyp dhe foli për ndërhyrjen,” shkruan Korzár.
Gazeta shton se Kolesár ishte jo vetëm shefi i klinikës, por edhe kirurgu kryesor i operacionit të Poklembovës, që në atë moment ndodhej në fazën kritike të ndërhyrjes. Këtë përputhje kohore e ka vënë re edhe familja e viktimës.
“I pamë pamjet nga konferenca dhe e vumë re se doktori që e operonte nënën tonë ishte aty, rreth mesditës. Menduam se operacioni kishte përfunduar. Kur telefonuam repartin e kujdesit intensiv, na thanë se ende ishte në sallë,” rrëfeu djali i saj, Martin Poklemba.
Familja ka dorëzuar kallëzim pranë Zyrës së Mbikëqyrjes së Kujdesit Shëndetësor, duke akuzuar mjekun për braktisje të operacionit në fazën e fundit për arsye mediatike. “Gjatë operacionit të nënës sonë, kirurgu u largua nga salla dhe doli në konferencën për shtyp që po transmetohej në mbarë Sllovakinë,” tha vajza e viktimës, Miroslava Korytková.
Ajo kërkoi sqarime nëse një veprim i tillë është në përputhje me ligjin dhe etikën mjekësore. Transmetimi i drejtpërdrejtë i konferencës është më vonë fshirë nga rrjetet sociale.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e institutit mohojnë çdo neglizhencë, duke theksuar se operacioni u krye nga një ekip me përvojë dhe sipas protokolleve standarde. Drejtori i institutit, Štefan Lukačin, deklaroi se gjatë ndërhyrjes ndodhi një bllokim i papritur i enëve të gjakut, një komplikim i rrallë por i njohur në mjekësi.
Sipas tij, pacientja u lidh me aparatin e zemrës dhe mushkërive artificiale, por gjendja e saj mbeti kritike. Familja, megjithatë, pyet pse kontrolli urgjent i enëve të gjakut nuk u krye menjëherë pas operacionit, por vetëm një ditë më vonë, kur tashmë ishte shumë vonë për ndërhyrje të re.
Dy ditë më pas, familja u informua se pacientja kishte pësuar atak kardiak gjatë operacionit dhe më pas edhe goditje në tru. Ata gjithashtu nuk e kuptojnë pse nuk u krye autopsi.
“Në bazë të dokumenteve dhe informacioneve që kemi, jemi të bindur se gjatë trajtimit të nënës sonë ka pasur shkelje të rënda profesionale që çuan drejtpërdrejt në vdekjen e saj,” deklaroi familja Poklembová.













