Skandal i ri në administratën e Trumpit: Hegseth e mori bashkëshorten në takime me kolegë të huaj ushtarakë

Ministri amerikan i mbrojtjes, Pete Hegseth, e ka marrë bashkëshorten e tij në dy takime me kolegë të huaj ushtarakë “ku janë diskutuar informacione të ndjeshme”, raporton The Wall Street Journal.

Jennifer Hegseth, ish-producentja e Fox News-it, nuk është e punësuar në Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-ve, thanë zyrtarët.

Sipas raportit, ajo ka marrë pjesë në takime me ministrin britanik të mbrojtjes, John Healey, si dhe në selinë e NATO-s në Bruksel për bisedime rreth Ukrainës.

Takimi me Healey është mbajtur një ditë pasi SHBA kishte njoftuar se kishte ndërprerë ndarjen e informacioneve të inteligjencës me Kievin. Journal thekson se në këtë takim është diskutuar “arsyetimi amerikan për këtë vendim, si dhe bashkëpunimi i ardhshëm ushtarak mes dy aleatëve”.

Raporti thotë se takimi në NATO ka qenë me një forum prej 50 shtetesh i udhëhequr nga SHBA, i quajtur Grupi Kontaktues për Mbrojtjen e Ukrainës. Zyrtarët thonë se në këtë forum zakonisht diskutohen informacione konfidenciale, përfshirë donacione për Ukrainën që nuk dëshirohet të bëhen publike.

Publikimi thekson se disa nga zyrtarët e pranishëm në takime nuk e kanë ditur kush ishte Jennifer Hegseth, ndërsa të tjerë janë habitur nga prania e saj, por megjithatë kanë lejuar që takimet të zhvillohen pa kundërshtime.

Raporti vjen në mesin e shqetësimeve rreth trajtimit të materialeve të ndjeshme dhe konfidenciale nga Hegseth, pasi u zbulua se ai kishte dërguar një mesazh mbi kohën e fillimit të një sulmi të planifikuar kundër Houthive në Jemen më 15 mars, si dhe detaje të tjera për valët e ardhshme të sulmeve ajrore amerikane, sipas një pamjeje të ekranit të një bisede tekstuale të publikuar nga The Atlantic.

Hegseth disa herë ka mohuar se ka dërguar plane lufte, ndërsa administrata e presidentit amerikan Donald Trump po përpiqet të frenojë pasojat e zbulimit se redaktori kryesor i The Atlantic, Jeffrey Goldberg, ishte përfshirë në një grupbisede në aplikacionin e mesazheve të enkriptuara Signal me këshilltarët më të lartë të Trumpit për siguri kombëtare për të koordinuar fillimin e ofensivës në Jemen.

Journal raportoi të enjten se sulmet janë bazuar në të dhëna të inteligjencës izraelite të marra nga një burim njerëzor në Jemen.

Kategoritë
BotaLajme