Ushtarët e ushtrisë izraelite shkruan numra në trupat e palestinezëve të arrestuar gjatë një operacioni të hënën në fshatin Qabatiya, në Bregun Perëndimor të pushtuar, pranë Jeninit, raportoi të martën në mëngjes Radioja Ushtarake e Izraelit.
Në përgjigje të këtyre raportimeve, ushtria izraelite i tha Radios Ushtarake se “forcat e sigurisë shënuan të dyshuarit që u morën në pyetje në kuadër të operacionit”.
Më pas, komandantët shpjeguan se “ushtarëve u është bërë e qartë serioziteti i këtij veprimi dhe se nga ky rast janë nxjerrë mësimet e nevojshme”.
Të hënën, ushtria izraelite njoftoi se në zonën e Qabatiyas kishte arrestuar dy palestinezë dhe kishte kryer bastisje në më shumë se 100 shtëpi.
Ushtria deklaroi se dy palestinezët dyshohen për planifikimin dhe nxitjen e sulmeve terroriste me qëllim rrezikimin e qytetarëve të Izraelit dhe pjesëtarëve të IDF-së.
IDF-ja është përballur me kritika të ashpra për veprimet e saj në fshatin palestinez Qusra, pranë Nablusit.
Gjithashtu të hënën, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, njoftoi se ushtria brenda dy javëve të ardhshme do të paraqesë një plan për transferimin e kompetencave, pasi të premten kishte bërë të ditur për herë të parë synimin për ta transferuar këtë përgjegjësi.
“Nuk do të lejojmë dhunën dhe as që palë të paautorizuara ta marrin ligjin në duart e tyre”, deklaroi Katz.
Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, e përshëndeti vendimin e Katzit, duke e cilësuar atë si “një hap të rëndësishëm drejt zbatimit të sovranitetit izraelit në Bregun Perëndimor”.
Ben-Gvir tha se kishte kërkuar që e gjithë përgjegjësia për këtë zonë të transferohej nga IDF-ja te policia izraelite, duke përfshirë edhe kalimin e përgjegjësisë për Judenë dhe Samarinë, në kuadër të Policisë Kufitare, nga ushtria te policia, “në përputhje me marrëveshjen e koalicionit, e cila deri më tani është shkelur”.


















